Historia si strehë dhe shpërdorimi i heronjve

ali-pShkruan: Ali Pajaziti

B. A. Ellis në veprën e saj Prejardhjet hije, mes tjerash, thotë: “Kujtesa është vetëm se gjysma e identitetit; pjesa tjetër përbëhet nga praktika.” Thua vallë më tepër kujtojmë të kaluarën sesa që e ndërtojmë të tashmen? A po bëjmë identitet me çifteli dhe kaci (lopatë), facebookcracy apo me dije të vërtetë e kulturë, politikë etike e identitet të vërtetë që bëjnë fuqi? Këto janë pyetjet esenciale sociologjike. “Isa Boletini në Saraj”. Gërçecasi i 20 dhe 21 janarit, herë kundër e herë pro. As makineria e Kondovës 2006-2008 s’ka ditur të prodhojë skenarë filmash të këtillë, si i të riut me dy fjalorë brenda 24 orëve, herë si “asllan” antikorruptiv e herë si i trishtuar para kamerave, duke u penduar për atë që “si burrat” e tha me gojën e vet. Një herë akuzon pushtetarët shqiptarë për korrupsion, ndërsa të nesërmen, nën rrethana të çuditshme, një kthesë U shpreh “ashkun” eternal për liderin dhe partinë (BDI-në). E mbaj mend mirë edhe komunizmin: as atëherë këso skenarësh e shantazhesh nuk ka pasur. Në mënyrë shumë më latente e më të latuar. Kështu e merr vesh edhe më i thjeshti “pikanterinë jashtë(politike)” për ta kaluar në statusin “mute” (pazëshëm) popullin.

Shqiptarët e Maqedonisë, shprehur me fjalorin e basketbollit, përballen me gabime në hapa, me provokime “të këndshme“ patriotike dhe invencione të përcipta, që vijnë nga politika, ose, thënë më drejt, nga politikanët dhe establishmenti politik, që synon ta ndërtojë imazhin e vet të rrënuar, duke u kthyer në të kaluarën, duke historicizuar të tashmen edhe atë në mënyrë të dhunshme, pa pyetur demosin (hallkun), pa sondazhe, pa matur pulsin e qytetarëve, duke kontrabanduar heronj nëpër hapësira të ndryshme, ku ajo i gjen të zbrazura ose të paokupuara nga partitokracia e partisë-shtet, VMRO-DPMNE. Rasti i fundit në Saraj të Shkupit është një shembull eklatant se si ndodh shpërdorimi i një figure kombëtare, siç është Isa Boletini, i cili me vlerat e tij të larta duhet të shpëtojë anijen që po fundoset të BDI-së. Nëse bëhet një analizë më e kthjellët e psikologjisë së qytetarit të kësaj komune me mbi tridhjetë mijë banorë, do të konstatojmë një frustrim të madh lidhur me ofertën e pushtetit aktual, një desatisfaksion total lidhur me “arritjet” brenda periudhës së menaxhimit integrist, që jo të shënojë evoluim, por, përkundrazi, i ka detyruar qytetarët ta përkujtojnë thënien “ai që vjen, të shtyn ta kërkosh paraprakun”. Rrugë në gjendje katastrofike, infrastrukturë e dërrmuar, shkolla pa kushte higjienike, shesh qendror i grabitur (nga bankinat deri te llambadarët), pa ndriçim, me fontanë pa ujë, me barishte verore që të asocojnë arën pa “sajbi” (pronar), me objekt komune të ruinuar, që tani po ribëhet “me shije”… Një komunë që sfidohet nga iniciativa qytetare dhe aksione rinore. Shembujt e Bojanës (ku jeton prefekti) dhe Sullares janë porosidhënëse për ata që kanë sy e veshë. Një katund eksterritorial për kushtet tona, me çezmë publike, me drurë të mbjelle, me shporta hedhurinash, me kanal për ujëra atmosferikë, me rrugë të pastra, me tabela trafiku. Të gjitha si sinjalistikë për pushtetin vendor, i cili po bëhet “frëng” karshi veprimeve të këtilla dhe paraqitet kur është puna e “Festivalit të rrushit”. Imagjinoni një fshat si Sullareja, që arrin të ndërtojë/zgjerojë madje edhe urën që lidh disa vendbanime, prapë me vetëkontribut dhe solidarizim, me një grusht të rinjsh të motivuar për mjedis dhe komunikim më të mirë. Fshatra brenda komunës, më funksionale sesa vetë komuna.

Gurët e mozaikut të Sarajit, të pavënë në vendin e vet, shumica të humbur, me disa përjashtime që i përmendëm. Popullata – ballon i gatshëm për të plasur (intervistat në TV). Dhe, në tërë kontekst sterrë të zi, vjen shpëtimtari Isa (Boletini) në Saraj, më shumë se dhjetë kilometra larg sheshit dhe agorës së vërtetë të qytetit, në fakt statuja e tij. Nëse pushteti sllavocentrist e ka historizuar Shkupin dhe ia ka ndryshuar pamjen kulturologjike të tij përmes më shumë 500 milionë eurosh, në Sarajin tonë me shumë resurse natyrore e humane, shtatoret ose sillen nëpër mal të bastarduara dhe ultra-antiestetike, një shund artistik, i kontrabanduar nëpër male dhe vendosur mbi tank ose bëhen duke i detyruar butë afaristët që të solidarizohen me kombëtarizmën, me shqiptarinë, për benefite afatshkurtra e afatgjata. Pra, edhe ekonomikisht edhe profesionalist, të pakonkurrueshëm me demokraturën partiake, zgjedhin që ta bindin popullatën para zgjedhjeve, në një shesh të premtuar, me një “ikonë të atdhetarisë”, me histori. Referimi te kujtesa dhe te ndjesia e ngjeshur kombëtare kanë mbetur kashta e shpëtimit për politikën impotente, jovizionare dhe bajate të partisë pushtetare për të mbetur në jetë.

Kreu i kësaj komune me gjasë ka pak njohuri edhe nga sfera e gjeografisë. Komuna e Sarajit nuk përfshin vetëm Dervenin, por edhe pjesë të Karshiakës, si Krushopeku dhe Gërçeci (Shih: Xhemaludin Idrizi, Mikrotoponimia e Karshiakës së Shkupit, Interdiskont, 2003, fq. 59-60) Andaj fjalia si “Dërveni mirëpret figura historike” është e mangët, e pakuptimtë, sepse shtrohen pyetja “ku mbeten karshiakasit”. Sa për dijeni, në vitin 2014 organizuam një konferencë për Rekën e Epërme dhe njëri nga referuesit (i punësuar në Komunën e Sarajit) kishte përgatitur një shkrim shkencor me titullin “Hafiz Rufat Vejsel Saliu – kolos i qëndresës fetaro-kombëtare në trojet e Dervenit të Shkupit” dhe, në bisedë me vajzën e këtij sarajliu të mirënjohur, nënkryetare e Parlamentit të Maqedonisë, konstatuam se kishte gabim në titull. S. Saliu na tha se i ati i saj, rahmet pastë, kurrë nuk e ka pranuar të ketë qenë dervenas, sepse është identifikuar si karshiakas, andaj edhe titulli i artikullit pësoi ndryshim (“Feptariotizmi i rekaliut gërçecas…”).

Pyetja tjetër: Cilat figura historike i mirëpret? Me gjasë shqiptare! Në bazë të cilit referendum u konstatua që pikërisht I.B. të jetë pjesë e sheshit të Sarajit? A pati ndonjë debat publik apo me imponim nga lart të “të gjithëdijshmëve”, që arbitrarisht na historizojnë? Isa Boletini ka qenë i mirëpritur dhe ka jetuar në kujtesën dhe në zemrën e sarajasve edhe para se BDI-ja ta sjellë para sallës “Maqedonia” dhe para shkollës “Dituria”. Çfarë është kjo skenë deus ex machina? Mediat shënuan se iniciator i kësaj veprimtarie është drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare në Shkup. Ky drejtor nuk përkujdeset për qytetin ku jeton, për katër shtatoret që duheshin të vendosen në sheshin “Maqedonia”, por na del me zbulime fascinante për Sarajin tonë?

Dhe, disa shënime të sarajasve vetë për realitetin social në këtë komunë: “Isa i mbulum prej bërllogut e gropave në rrugët e mjerimit”; “Shkollat fillore në gjitha vendbanimet i kanë shndërruar në hangar për kafshët duke punësuar djemtë e rejat dhe farefisin e vet!”; Bac! Këta … nuk ndërtuan asnjë shkollë të mesme në këtë vend aq të bukur dhe me shumë talentë të rinj që ka falë Zoti këtu!”; “Baca Isë! Prej kësaj toke pinë ujë të gjithë banorët e kryeqytetit me rreth një milion banorë, këta … i kanë lënë fshatrat e komunës pa ujë të pijshëm… nga këtu buron dhe kalon ky ujë!”; “Të gjitha rrugët në nivel komunal i kanë lënë me gropa më zi se në shekullin e 18-të!”; “Nxënësit dhe banorët e fshatit Paniçar udhëtojnë në këmbë nga 5 km!”; “O Zot! Kah po na çojnë këta njerëz? Për të shkuar në Raçe duhet me u drejtu kah Gjorçeja, duhet me e marrë udhën e Shkupit, e pastaj duhet me u kthy përpjetë? Pse nuk na siguruan një rreth (rotondo i thonë në Itali), siç janë dy dy kilometra më poshtë ku jetojnë maqedonasit, ku nuk ka trafik as sa 1/20 e Sarajit dhe rrugës Shkup-Tetovë?”

Në antropologji ka një shprehje “kargo kulti”, që përfshin edhe ëndrrën-mit (myth-dream), pritjen e ndihmës nga paraardhësit, nga liderët karizmatikë. Siç duket, ky është realiteti ynë, i tribalizuar socio-antropologjikisht: ëndrra e shpërdoruar (BE-NATO), paraardhësi (Boletini) dhe lideri (Ahmeti). Mos ta harrojmë edhe tribalizmin tonë, ndonëse jetojmë në epokën e kombeve, jo në atë të fiseve legjendareske. E pranojmë ose jo, na kanë shndërruar në kope. Të gjithë heshtin. Çasti i ekstazës dhe nacional-romantizmit, që në mënyrë të vakët imiton gruevizmin populist erdhi: Shtatorja në shesh, puna jonë përshesh!

Shekulli Agency