Lëvizja BESA – BESATARËT E RINJ e japin BESËN

besa-111-76555447Kryetar i Forumit Rinor të Lëvizjes BESA zgjidhet Daim Luçi

Sonte në Shkup në hotelin Holiday Inn u mbajt kuvendi themelues i Forumit Rinor i Lëvizjes BESA. Në këtë tubim ishin të pranishëm një numër i madh të rinjsh ku i dhanë mbështetje të fuqishme këtij tubimi.

Më 16 janar 2016 të gjithë të rinjtë e propozuar nga Këshillat Komunalë, në mbledhjen e mbajtur në Tetovë – ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Lëvizjes BESA, bënë konsitutimin e Kuvendit të Forumit Rinor të Lëvizjes BESA, ndërsa sonte u bë solemnizimin e saj. Kunvendi i Forumit Rinor I Lëvizjes BESA bëri prezantimin e 81 kuvendarëve. Në mbledhjen e konstituive të Kuvendit të Forumit Rinor të Lëvizjes BESA për kryetar u zgjodh Daim Luçi.

Në fjalën e tij përshëndetëse Daim Luçi theksoi: “Lëvizja BESA, me sfidat që paraqiten në rrugëtimin e saj është një shembull për gjithçka. Është fati i jonë, fati i Besatarëve të rinj, por edhe i gjithë shqiptarëve që Lëvizja BESA me një model lidershipi ndryshe nga ato ekzistuese synon përmirësimin e gjendjes politike, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, dhe padyshim falë bartësit të këtij lidershipi, kryetarit tonë, Dr.Bilall Kasamit. Në rrugëtimin e idealeve tona nuk ka vend për humbje të shpresës, në jetësimin e platformës tonë nuk ka luhatje, nëse ne besojmë doemos se do të korrim fitore. Ne themi se BESËN e kemi me ne dhe kjo është e mjaftueshme.” Më tutje ai shtoi: “Shoqëria shqiptare në Maqedoni po kalon në ditë të vështira, shqiptarët vriten, shqiptarët burgosen dhe shqiptarët janë kategoria më e ulët e shoqërisë në nivel të zhvillimit ekonomik. vazhdimisht jemi viktimë të emërtimeve dhe IZMAVE të shpikura dhe për këtë shpirti dhe zemra na dhemb, por Lëvizja BESA me kryetarin e saj, kryesinë dhe këshillin qendror, dhe vullnetin e popullit shqiptar ka potencial akademik dhe profesional për të ndryshuar këtë gjendje të mjeruar, dhe për një periudhë të shkurtër ti pensionojmë të gjithë që shkelin mbi dinjitetin dhe krenarinë kombëtarë. Përballë vrasjeve, kriminalitetit, diskriminimit, korrupsionit krah për krah do qëndrojmë në  BESË të gjithë bashkërisht,” përfundoi Daim Luçi.

Në fund të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasami. Ai para të pranishmëve tha: “Kam kënaqësi dhe emocione të papërmbajtshme që sonte ju shoh këtu. Kur i shihja se si po dilnin në skenë këta të rinj dhe të reja dhe më vinte ndër mend se ka vetëm një vjet qëkur ne e themeluam BESËN dhe kështu dilnim në skenë, kisha një ndjenjë kënaqësie se ne e kemi ardhmërinë e garantuar. Me këso rinie ju garantoj se fitorja e BESËS është e pashmangshme. Është vetëm çështje kohe, por nuk ka asnjë pikëpyetje. Të respektuar të pranishëm, ashtu siç u përmend këtu, BESA edhe ashtu është e formuar nga rinia intelektuale shqiptare, madje shpesh disa me mahi na thonë se në BESË duhet formuar Forumi i Pleqve, sepse të gjithë jemi të rinj, por unë kujtoj se që të jemi të sigurt ne që sot jemi në rreshtin e parë të BESËS, se kjo ide dhe ky ideal do të jetë i sigurt, do të duhet menjëherë ta ndërtojmë edhe rreshtin e dytë. Sepse ata duhet ta marrin nesër stafetën dhe ta përfundojnë garën. ” Në vazhdim foli edhe për situatën momentale politike në vend, ku theksoi: “Ashtu siç tashmë jeni në dijeni, Maqedonia po futet thellë e më thellë në krizë dhe pasojat e saj tashmë nuk parashikohen. Megjithëse kriza u shkaktua për shkak të mungesës së demokracisë, nëpërkëmbjes së drejtësisë dhe abuzimit me sistemin e sigurisë, as Marrëveshja e Përzhinës nuk arriti ta riparojë këtë. As drejtësia nuk është vënë në vend: Prokurorja Speciale, e sabotuar nga pushteti, nuk arriti të ngrejë asnjë padi për ata që e kishin shkaktuar krizën. Sistemi i sigurisë ka mbetur përsëri në duar të atyre që dihet se abuzojnë me të, ndërsa demokracia ka mbetur përsëri pezull: në Maqedoni akoma më shumë se 200 mijë vota janë fiktive dhe ato përbëjnë jo më pak se 20 deputetë. Të gjendur në këtë situatë, ne kemi deklaruar se nuk do marrim pjesë në zgjedhje që do ta legjitimojnë këtë. Nëse nuk mund ta ndryshojmë, së paku nuk do ta legjitimojmë. Dhe, derisa diçka nuk ndryshon në këtë plan, edhe qëndrimi jonë nuk do të ndryshojë. Po cili është kuptimi të marrësh pjesë në një garë, në të cilën paraprakisht dihet rezultati”, përfundoi Kryetari i Lëvizjes BESA z. Bilall Kasami.

Shekulli Agency