Të gjithë sytë nga Maqedonia, për daljen e vendit nga kriza

Në fillim të vitit 2015, kriza politike në Maqedoni mori një dimension të ri, kur lideri i opozitës me anë të projektit “E vërteta për Maqedoninë” filloi shpalosjen e përgjimeve telefonike të mbi 20 mijë personave në Maqedoni.

lideret-maqedoni-58845333Kriza në Maqedoni filloi në vitin 2010 me mbylljen e televizionit A1, i cili kritikonte qeverinë dhe me arrestimin e pronarit të televizionit, ndërsa më pas në vitin 2012 vijuan edhe protesta në Kuvend nga ana e opozitës për miratimin e buxhetit të vitit 2013, në të cilin ishte pjesë edhe projekti “Shkupi 2014”. Në atë kohë, bisedimet rreth buxhetit shkaktuan tensione mes qeverisë dhe opozitës, ndërkohë disa gazetarë dhe deputetë opozitarë u përjashtuan nga Kuvendi duke u përdor edhe forcë fizikë, pasi që kritikonin ashpër qeverinë.

Një faktor tjetër i rëndësishëm që thelloi krizën politike në vend, ishte mos pjesëmarrja e opozitës në Kuvend, e cila pasoi pas bisedimeve rreth buxhetit dhe me mosnjohjen e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 nga opozita. Ndërkohë opozita filloi me aktivitete jo-institucionale duke bojkotuar punën e Kuvendit, si dhe duke organizuar protesta, demonstrata, marshime nëpër rrugë dhe tubime të ndryshme qytetare kundër politikave të qeverisjes aktuale.

Në fillim të vitit 2015, kriza politike në Maqedoni mori një dimension të ri. Lideri i opozitës, LSDM-së, Zoran Zaev, me anë të projektit “E vërteta për Maqedoninë” filloi shpalosjen e bisedave telefonike, siç pretendon ai, përgjimet telefonike të mbi 20 mijë personave në Maqedoni, mes të cilëve edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe funksionarë tjerë të lartë të qeverisë. Kjo thelloi krizën edhe më shumë, kur lideri Zaev filloi shpalosjen para publikut dhe akuzoi personat në fjalë për korrupsion, krim dhe abuzim ndaj shtetit.

Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski deklaroi se kjo është një përpjekje për “grusht shteti” dhe për ardhjen e liderit Zaev në pushtet në mënyrë të paligjshme. Për rastin në fjalë Gjykata nisi procedimin.

Një faktor tjetër për thellimin e krizës ishte edhe dënimi me burg të përjetshëm për gjashtë shqiptarët të cilët ishin të akuzuar në rastin “Monstra”, që ndodhi më 12 prill të vitit 2012 në liqenin pranë fshtatit Smilkovc të Shkupit, ku i vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar. Sipas përgjimeve të shpalosura nga opozita pretendohet se të dënuarit e rastit “Monstra” janë të pafajshëm.

Megjithatë, të gjitha këto zhvillime i lë në hije konflikti i armatosur i policisë maqedonase me një grup të armatosur në “Lagjen e trimave” të Kumanovës më 9 maj të vitit kaluar, për të cilët pretendohej se përgatitnin një sulm kundër disa institucioneve të vendit. Në operacionin i cili zgjati 28 orë, humbën jetën 8 policë, rreth 30 u plagosën, ndërsa nga ana e grupit të armatosur 10 persona u vranë dhe rreth 30 u arrestuan. Tre ditë pas kësaj ngjarje, më 12 maj dhanë dorëheqje ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.

Menjëherë pas konfliktit të armatosur, në muajin maj 2015 u organizuan dy protesta të mëdha, njëra në mbështetje të opozitës dhe tjetra në mbështetje të qeverisë, ku më pas të dyja palët ngritën kampe në shenjë proteste, të parit përballë Qeverisë, ndërsa të dytit përballë Kuvendit.

Për tejkalimin e kësaj krize të shkaktuar politike dhe mosmarrëveshjeve mes aktorëve kryesorë në skenën politike u angazhuan komuniteti ndërkombëtarë, Bashkimi Europian dhe SHBA-të dhe liderët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni. Pas negociatave të gjata dhe të vështira u nënshkrua edhe marrëveshja, e njohur si “Marrëveshja e Përzhinos”, me të vetmin qëllim tejkalimin e krizës politike në vend.

Ndërmjetësues në këtë marrëveshje mes liderëve të partive politike ishte komisioneri europian për negociata dhe zgjerim, Johannes Hahn, i cili më 2 qershor arriti t’i bind liderët për nënshkrimin e marrëveshjes, ku synohej largimi i krizës që kishte përfshirë vendin. Marrëveshja në fjalë u nënshkrua më 15 korrik të vitit 2015, në takimin e dytë në përpjekje për dalje nga kriza mes Hahn dhe liderëve politik të vendit.

– Vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare –

Euro-komisioneri Hahn në muajin qershor njoftoi se është dakorduar që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare deri në fund të muajit prill të vitit 2016.

Pas këtyre ngjarjeve në Maqedoni Hahn, në muajin qershor u takua me liderët politikë në vend dhe njoftoi se janë pajtuar për zgjedhje të parakohshme deri në fund të muajit prill të vitit 2016.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, ishte parashikuar që opozita të kthehet në Kuvend, të ndalohet publikimi i bisedave të përgjuara, emërimi i prokurorit special, rregullimi i kabinetit, si dhe dorëheqja e kryeministrit Nikolla Gruevski 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme, ku sipas marrëveshjes duhet të mbahen më 24 prill të këtij viti.

Megjithatë, edhe pse shumica e hapave që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos janë zbatuar, ende nuk është harmonizuar metodologjia e riemërtimit të listës së votuesve dhe reformat në mediume. Në lidhje me këto çështje, opozita konsideron se nevojitet të shtyhen zgjedhjet e 24 prillit, pasi që ende nuk është zbatuar plotësisht marrëveshja, që të mund të mbahen zgjedhje të rregullta, demokratike dhe të lira në Maqedoni.

Një ditë para skadimit të afatit për dorëheqjen e Nikolla Gruevski, kryeministri njoftoi publikun se do të japë dorëheqjen nga posti që ai drejton dhe në vend të tij do të emërohet kryeministri i përkohshëm nga radhët e partisë qeveritare, ashtu sikurse edhe është rënë dakord në marrëveshje.

Sot, 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, njoftoi se i është dorëzuar letra e dorëheqjes së kryeministrit Gruevski.

/AA/ Shekulli Agency

Shekulli Agency