Liderët e Opozitës: Të largohet kjo Qeveri që të kemi shtet

protesta-kosove-765Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se po përfundojnë ditët e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, ata çdoherë janë bërë bashkë për nevojat e tyre personale dhe jo për nevojat e qytetarëve të Kosovës.

“Ditët e fundit këta po e tregojnë egërsinë e vet duke e burgosur dhe shtyp opozitën.  E kanë pru punën që Kosova të jetë vendi më i korruptuar në botë. Na i themi shkoni që të ndalet korrupsioni. Na ju themi shkoni se nuk po dëshirojmë me bo azilanta, ti mbushin kampet në Evropë  dhe botë, ne dëshirojmë që rinia të ngelet këtu. Ne ju themi shkoni që ta kemi Kosovën me ushtri e jo pa ushtri. Na ju themi që të shkojnë që të kemi kufij. Shkoni që të kemi shtet dhe sovranitet. Ju themi shkoni se Kosova i ka kuptuar hilet e juaj dhe populli s’ju duron më.”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.

Ndërkaq lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se ata janë ngritur në këmbë ngase e kanë për obligim ta mbrojnë vendin sovranitetin e shtetit nga ata që po bëjnë me shtetin e Kosovës.

“Kosova ngritet në këmbë çdoherë që cenohet sovraniteti i saj. Nëse ata se kanë kuptuar deri në mbrëmë, sot në sheshin “Nënë Tereza”, pranë bustit të Skënderbeut, ka ra qeveria e Kosovës. Ne kërkojmë zgjedhje të lira. Qytetarë të nderuar, ashtu siç kemi ardhur për të mbrojtur vendin tonë, ne duhet të ngrisim zërin në mënyrë paqësore me prezencën tonë fizike, deri sa kjo qeveri të largohet”, ka thënë Limar.

Ndërkaq lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dëshirojnë që nëpërmjet Zaednicës ta mbajnë veten e tyre në pushtet.

“Hashim Thaçi e Isa Musfafa borxhet e tyre nuk mund t’i paguajnë me tokat e Kosovës. Nëse u mbetet pasuri pasi që të ja kemi konfiskuar pasurinë le të japin borxhin Vucicit e Dacicit. Kjo ditë është ditë e rëndësishme për Kosovës, ky numër ja garanton republikën, lirinë, pavarësinë e sovranitetin. Ju dëshmoni qartë se nuk duroni më. Kjo tregon se shteti nuk mbahet me polici me përndjekje e shtypje. Nuk ka demokraci kur në krye të shtetit janë shkelësit e Kushtetutës. Është një kohë kjo e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Koha e bashkimit dhe integrimit e zhvillimit, e bashkëpunimit për mirëqenie e jo e garës për mbijetesë. Kjo kohë fillon sot, pa Isë e Hashim.”, ka deklaruar Visar Ymeri.

Pas mbarimit të fjalimit të tre liderëve disa nga protestuesit kanë hedhur gurë dhe koktej mollotovi në drejtim të godinës së Qeverisë. /SHENJA/

Shekulli Agency