Opozita kosovare thirrje qytetarëve për protestë masive

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se protesta do të jetë masive, civilizuese dhe paqësore, duke thënë me humor se moti me diell dhe i kthjelltë paralajmëron qartësi më të mirë për vendimet që do t’i marrë Kosova si shtet

opoz-kosLiderët e opozitës së bashkuar, Vetëvendosjes (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës për Kosovën (NISMA), sot paradite janë mbledhur në Sheshin “Skënderbe”, para ndërtesës së Qeverisë për të paralajmëruar protestën e nesërme, kundër marrëveshjeve siç i quajnë ata të dëmshme, me Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe për shkarkimin ne Qeverisë.

Në prani të deputetëve dhe aktivistëve të tjerë të partive opozitare, tre liderët opozitar njoftuan se protesta e nesërme do të filloj nga ora 14:00, tek Biblioteka Kombëtare, do të vazhdojë me marshimin e protestuesve përgjatë qendrës së qytetit, Sheshin “Zahir Pajaziti”, Sheshin “Nënë Tereza” dhe do të përfundojë pikërisht në vendin ku u mbajt kjo konferenca, para Qeverisë së Kosovës në Sheshin “Skënderbe”.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se protesta do të jetë masive, civilizuese dhe paqësore, duke thënë me humor se moti me diell dhe i kthjelltë paralajmëron qartësi më të mirë për vendimet që do t’i marrë Kosova si shtet

“I ftojmë qytetarët e Kosovës që nesër, të gjithë pa dallim, me u bashkuar në Prishtinë, në fillim te Biblioteka Kombëtare, me marshuar deri këtu. Me protestuar nesër për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe me kërkuar llogaridhënie prej atyre që e kanë shkelur Kushtetutën. Me kërkuar dorëheqjen e atyre që e kanë shkelur Kushtetutën” tha Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së.

Visar Ymeri i VV-së e cilësoi ditën e nesërme si shumë të rëndësishme për Kosovën sepse do të protestohet, sipas tij kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar Qeveria e Kosovës, njëherësh duke kërkuar shkarkimin e tyre pasi e kanë shkelur Kushtetutën me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve.

“Nesër është ditë e rëndësishme ku qytetarët do të bëhen bashkë për t’i kërkuar dy gjëra kryesore: për ta kërkuar sovranitetin e vendit dhe sovranitetin e qytetarit në këtë vend. Nga ana tjetër, është ditë e rëndësishme edhe për demokracinë, për t’i bërë me dije që Republika e Kosovës nuk mund të qeveriset nga njerëz që me vendimet  veta, me marrëveshjet e veta tentuan ta përmbysin rendin kushtetues të vendit” tha Ymeri.

Fatmir Limaj, lideri i NISMA-së për Kosovën, duke ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që nesër në mënyrë masive t’i bashkohen protestës, deklaroi se me këtë do të mbrohet Kushtetuta e vendit dhe do të kërkohet llogari nga ata që e kanë shkelur atë.

“Është momenti kur zëri qytetar duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm dhe të mos lejohet një presedan i keq në këtë Kosovë, që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin. Nëse ata nuk janë të gatshëm si Qeveri me dhënë llogari për shkeljen kushtetuese, refuzojnë me dhënë llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë që të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës” tha Limaj.

Në pyetjen e gazetarëve se si e vlerësojnë opozitarët vendimin e Qeverisë për t’i rritur pensionet, një ditë para protestës, përgjigja erdhi nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili u përgjigj se buxheti është i Kosovës, pensionistët janë të Kosovës dhe këto janë obligime që i ka Kosova ndaj pensionistëve, por sipas tij fatkeqësia qëndron në varfërimin e vazhdueshëm të vendit si pasoj e keqqeverisjes

Kriza dhe mosmarrëveshjet politike ndërmjet pozitës dhe opozitës filluan menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Serbinë në Bruksel, më 25 gusht, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbeve, si dhe asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Që nga seanca e parë vjeshtore, opozita e bashkuar filloi t’i bllokojë punimet e Kuvendit të Kosovës duke mos lejuar miratimin e këtyre dy marrëveshjeve që i vlerësonte si të dëmshme për vendin dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Gjatë tërë vjeshtës, punimet e Kuvendit të Kosovës u karakterizuan me rrjedh jo normale, pengesa dhe bllokime, madje edhe përdorimin e shpeshtë të gazit lotsjellës gjatë seancave, që shkaktoi shtyrje dhe ndërprerje të shpeshta. Si rezultat i këtyre veprimeve, përdorimit të gazit lotsjellës,  një e treta e deputetëve opozitar e gjeti vetën në paraburgim apo arrest shtëpiak, kurse Qeveria refuzoi të jap dorëheqje duke thënë se marrëveshja për Asociacionin do të rishikohet dhe do të harmonizohet me Kushtetutën, në ato nene që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur si jo kushtetuese, kurse për verifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi ka angazhuar një komision të pavarur ndërkombëtar, me ekspertë nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shekulli Agency