Pas Arabisë Saudite, Bahreini ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin

“Këshilli i Ministrave ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe iu ka dhënë afat 48 orë diplomatëve iranianë që të largohen nga vendi”

bahreinmanifMbretëria e Bahreinit sot në mëngjez ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, më pak se 24 orë pas një vendimi të ngjashëm të Arabisë Saudite, njoftoi agjencia zyrtare Bahraini BNA.

Ministri i Informacionit të Bahreinit, Isa el-Hamadi, në një konferencë për shtyp të mbajtur në kryeqytetin Manama tha se, “Këshilli i Ministrave ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe iu ka dhënë afat 48 orë diplomatëve iranianë që të largohen nga vendi”.

Ndër të tjera theksohet se vendimi në fjalë është marrë në takimin e zakonshëm të Këshillit të Ministrave.

Qeveria saudite ditën e shtunë, njoftoi ekzekutimin e dënimeve me vdekje të 47 personave duke përfshirë edhe klerikun shiit Ajetullah Nemr Bakir en-Nemr. Pas reagimeve të Iranit ndaj dënimeve me vdekje Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran dhe Konsullata në Meshhed u dogjën nga protestuesit.

Shekulli Agency

Shekulli Agency