Nis kundërofensiva e madhe e Ilir Metës: sulmon Donald Lu-në dhe George Soros-in

globi-sorrosNga Ylli Pata

Ka qenë me goditje të përqëndruar një ofensivë e nivelit të lartë dhe me “municion” të shtuar ditët e fundit të vitit, ndaj dy njerëzve të fuqishëm që vijnë nga Amerika por që janë dhe “sponsorë” të fortë të kryeministrit Edi Rama.

Në mënyrë selektive dhe me kujdes, janë sulmuar nga dy qarqe mediatike në marrëdhënie të mira me Ilir Metën, si ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ashtu dhe miliarderi i njohur George Sorros. Ky i fundit akuzohej se synon të krijojë trazira në vend nëpërmjet sponsorizimit të  reformës në drejtësi.

Realisht kjo është një lëvizje tymuese vetëm për të çoroditur opinionin pasi fondacioni Sorros ka paguar vetëm rrogën dhe shpenzimet e dietave të disa ekspertëve nga bota që vijnë në Shqipëri të mbajnë leksione mbi drejtësinë dhe reformën.

Kaq, gjithçka tjetër është pa sens, pasi George Sorros nuk do të ketë punë me drejtësinë shqiptare pasi ai jeton në SHBA dhe aktivitetin financiar tjetërkund e ka në Londër.

Ndërkaq, shkrimi i Ardian Thanos tek Dita ishte një bombardim i nivelit të lartë: kryeredaktori i së përditshmes më popullore në vend shtronte idenë se Donald Lu synon të përçajë Edi Ramën dhe Ilir Metën, më shumë sesa synon të bëjë reformën në drejësi.

Ky qark mediatik i ka të afërta marrëdhëniet me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, kjo edhe nga relacionet që ka Arta Dade (e cila ka lidhje prindërore me botuesin e Dita-s) dhe Ilir Meta.

Por ka edhe më: Blendi Fevziu ka ka bërë një shkrim sot ku aludon se, pas padisë që qeveria ka dërguar në Prokurori për çështjen e privatizimit të OSSHE-së, apo thënë ndryshe CEZ-t, pritet që të jenë nën hetime edhe dy ish-ministrat e Energjitikës, Ilir Meta dhe Edmond Haxhinasto.

“Mënyra se si bëhet duket më shumë një akt politik se sa një tentativë për të hedhur dritë realisht mbi atë që ka ndodhur. Eshtë ose një gafë me qëllim, ose një lëvizje diabolike e përllogaritur mirë, vënia përpara përgjegjësisë

e 3 ministrave dhe lënia jashtë e 4 të tjerëve.

Genc Ruli ka qenë Ministër i Ekonomisë në vitin 2009. Florian Mima në vitin 2013. Në këtë interval prej 4 vitesh, që përfshihet edhe brenda akuzës, ministra të Ekonomisë kanë qenë Dritan Prifti, Ilir Meta, Nasip Naço e Edmond Haxhinasto”, thekson Fevziu.

Të gjitha këto tregojnë se janari ka për të qenë muaji i larjes së hesapeve mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Siç e kemi bërë të ditur në disa shkrime tesheshi.com, ajo është një luftë fatale që padyshim do të ketë një fitues dhe një humbës. Të dyja palët nëse arrjnë, ose do t’i marrin të gjitha ose do të humbin përfundimisht gjithçka.

Numërimi ka nisur të fillojë mbrapsht…

Shekulli Agency