TETOVË – Përfundon protesta, qytetarët ftohen nesër përsëri të protestojnë

protestat-tet-pgPas bllokimit të hyrjeve kryesore të qytetit të Tetovës nga mijëra qytetarë, protestuesit bashkërisht u tubuan në sheshin “Ilirida” në qendër të qytetit, ku organizatorët mbajtën fjalime.

Sipas organizatorëve, ky numër i madh i qytetarëve të tubuar tregon maturi dhe sinqeritet për gjendjen alarmante me ndotjen e ajrit. Ata kërkojnë që organet kompetente të marrin masat e nevojshme për të zvogëluar ndotjen e ajrit, saktësisht mbylljen e kombinatit “Jugohrom”, i cili sipas tyre mbetet ndotësi më i madh në këtë qytet.

Ikballe Ferati nga Lëvizja “Nëna dhe fëmija”, njëherësh edhe organizatore e protestës, në fjalën e saj para mijëra qytetarëve theksoi se të gjithë këto qytetarë me gjithë sinqeritet kanë ardhur këtu të shfaqin revoltën e tyre ndaj ndotjes së ajrit në këtë qytet.

“Qëllimi jonë është shumë i pastër, duam ajër për fëmijët tonë, duam ajër për të ardhmen tonë dhe për vetveten, sepse nuk mund të vazhdojmë të ngulfatemi me këtë ajër në këtë qytet”, deklaroi Ferati.

Ajo shtoi se lëvizja “Nëna dhe fëmija” do të mbështesë edhe protestën e nesërme të organizuar nga organizata “Eco Guerilla”, por edhe të gjitha protestat e tjera nga kushdo që të organizohen kundër ndotjes së ajrit.

Nga ana tjetër, Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare “Eco Guerilla”, u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestën e nesërme. Ai theksoi se nesër do të bëhen kërkesa dhe ultimatume dhe nëse nuk respektohen të njëjtat nga fillimi i javës së ardhshme do të bllokohen të gjitha institucionet e qytetit.

Shekulli Agency