Erdogan: Jam për referendum për kushtetutën dhe sistemin presidencial

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shpreh në favor të mbajtjes së një referendumi për kushtetutën e re të vendit dhe sistemin presidencial.

taip-111-45366782090076Kreu i shtetit iu përgjigj të dielën pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në avionin presidencial, gjatë kthimit nga vizita në Turkmeni.

Duke vënë theksin mbi domosdoshmërinë e sistemit presidencial, Presidenti Erdogan vijoi me fjalët: “Sistemet qeverisëse të tipit presidencial, gjysmëpresidencial apo të presidencës partiake do të lehtësojnë vendimmarrjen e shpejtë. Së dyti; shumë e rëndësishme është të eliminohet dicefalia (dykokësia – shënim i përkthyesit).”

Gazetarët e pyetën liderin turk edhe mbi tensionin me Rusinë.

“Ritheksoj sërish se Turqia nuk është për tensionimin e situatës. Ne dëshirojmë që marrëdhëniet tona me Rusinë, të cilat janë në nivelin e partneritetit strategjik, t’i vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të kapërcejmë këtë ngjarje me rrugë diplomatike, pa i dhënë shans tensionimit”, deklaroi ai.

Erdogan theksoi se marrëdhëniet strategjike turko-ruse nuk duhet të flijohen për shkak të një ngjarjeje, si pasojë e gabimit të një piloti, i cili shpërfilli paralajmërimet ose nuk i dëgjoi ato.

Një tjetër pyetje, që iu drejtua Presidentit Erdogan ishte ajo në lidhje me luftën kundër strukturat paralele.

“Në operacionin e fundit, të ndërmarrë nga Ankaraja, do të viheshin nën pranga 75 persona, por 55 prej tyre u arratisën jashtë shtetit. Kjo shpalos qartë një të vërtetë: Kush i beson vetvetes nuk ka përse të arratiset”, tha ai, duke shtuar se po i ndjek nga afër hetimet dhe operacionet kundër strukturave paralele.

Presidenti Erdogan u ndal gjithashtu mbi reagimet në lidhje me ndërrimin e kontingjentit të ushtarëve turq me mision joluftarak në Irak.

“Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar (MIT) morën reagime shumë pozitive gjatë kontakteve të tyre në Bagdad. Por, menjëherë pas këtyre reagimeve pozitive, çështja u ngrit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo të shtyn të mendosh ndryshe. Kjo lloj qasje e gabuar do të marrë përgjigjen e merituar nga Këshilli i Sigurimit. Sepse pozita e atjeshme e Turqisë nuk ngjason me pozitën e asnjë vendi tjetër; ne jemi nën kërcënim të vazhdueshëm. Ne kërcënohemi nga DAESH-i dhe organizatat e tjera terroriste”, nënvizoi kreu i shtetit turk.

Shekulli Agency

Shekulli Agency