Luftanija ruse hap zjarr ndaj peshkatores turke

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se zjarri paralajmërues kundër peshkatores turke ishte hapur për të penguar përplasjen me anijen luftarake ruse që lundronte në Detin Egje.

ania-egeSipas pretendimeve ruse ngjarja ka ndodhur 22 km larg brigjeve të ishullit Limni të Greqisë dhe pas zjarrit të hapur nga anija luftarake ruse peshkatorja turke ka ndryshuar kursin e lundrimit.

Atasheu ushtarak në Ambasadën turke në Moskë është thirrur për sqarime në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.

Kurse Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) gjatë konferencës së sotme për Libinë të mbajtur në kryeqytetin e Italisë, Romë, u tha gazetarëve se Turqia nuk dëshiron të rrisë tensionet në marrëdhëniet me Rusinë.

-“Ne nuk jemi për tensionimin e situatës. Do të bisedojmë me peshkatarin dhe pastaj do të bëjmë edhe deklaratën e duhur”, u shpreh shefi i diplomacisë turke.

“Ne pamë deklaratën ruse. Ishte identifikuar anija e peshkimit, dhe pasi të bisedojmë me peshkatarin e anijes dhe marrjes së informacioneve të nevojshme, ne do të japim një deklaratë. Por, ne gjithnjë përsërisim, ne nuk duam tensione. Ne duam që tensionet të kapërcehen përmes dialogut. Hapat të cilat ne i kemi marrë pas ngjarjeve të 24 nëntorit gjithmonë kanë qenë në këtë drejtim. Të gjithë e kanë lavdëruar Turqinë për qasje e pjekur dhe që nuk dëshiron rritjen e tensionit. Prandaj, ne do të dalim me një deklaratë pasi të marrim në pyetje peshkatarin për atë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë”, sqaroi Çavushollu.

Nga ana tjetër pas shkallëzimit të tensionit nga ana e Rusisë Forcat e Armatosura të Turqisë kanë marrë një vendim që e ndalon personelin e saj të vizitojë Rusinë.

Ministria ruse e Mbrojtjes lëshoi një deklaratë me pretendimin se luftanija ruse u “detyrua” të përdorë “armë zjarri për të parandaluar përplasjen” me anijen turke të peshkimit në Detin Egje. Në deklaratë thuhet se pas kësaj anija turke e peshkimit “ndryshoi menjëherë kursin” dhe “vazhdoi lundrimin”.

Shekulli Agency

Shekulli Agency