Seanca e ardhshme e Kuvendit më 14 dhjetor

111-sh-kadri-veseliKryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë, i ka bërë thirrje opozitës që më 14 dhjetor të marrin pjesë në seancën plenare, raporton Koha.net.

Sot kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që më 14 dhjetor të ketë seancë plenare të Kuvendit. Gjatë kësaj seance, Veseli ka njoftuar se përveç buxhetit do të diskutohen edhe 25 pika tjera, prej të cilave janë shtatë draftligje në lexim të parë dhe tetë të tjera në lexim të dytë.

“I bëjë ftesë serioze opozitës që të marrë pjesë në seancë, në asnjë moment as si kryetar i kuvendit, as i kësaj kryesie nuk e kam pas qëllim që ata të përjashtohen. Unë gjithherë kam bërë thirrje që të mos e përjashtojnë veten nga seanca dhe të marrin pjesë në të. As për ne si kolegë deputetë nuk është ndjenjë e mirë. Shtatë kolegë tanë ballafaqohen me ligjin. Edhe njëherë po e përçoj mesazhin që askush nuk është mbi ligjin dhe përgëzojë organet e rendit për punën e tyre profesionale”, ka thënë Veseli.

“Prapë ka qenë qëndrim i cili nuk ka qenë për mbajtje të seancave. Është ngrit një çështje nga Aida Dërguti për shkak të iniciativës së presidentes që të mbahet seanca”, ka shtuar ai.

“Është e thënë edhe nga presidentja që seancat plenare do të vazhdojnë, nuk është vendim vetëm i kryesisë së Kuvendit. I thërras opozitën që ata të marrin pjesë në seancë. Gjitha çështjet mund të tejkalohen nëse ka vullnet. Duhet të ketë zgjidhje politike dhe vendi të jetë Kuvendi”.

Shekulli Agency