Maqedonia i’a bllokon Shqipërisë eksportin, BDI hesht

AhmetajMinistri shqiptar i MZHETTS, Arben Ahmetaj, zhvilloi një bisede telefonike me zv.kryeministrin dhe njëherësh ministrin e Financave të Maqedonisë, si dhe me ministrin e Ekonomisë, për t’u kërkuar sqarime mbi bllokimin e importit të perimeve të freskëta nga Shqipëria, si dhe për t’i bërë të ditur qëndrimin e Shqipërisë.

“Është e dyta herë që unë komunikoj zyrtarisht me palën maqedonase. Edhe para një muaji diskutuam, kur produktet bujqësore u bllokuan në doganën maqedonase për shkak të një rregulloreje, e cila keqpërdoret shpeshherë ndaj produkteve bujqësore shqiptare dhe krijon humbje për fermerët apo për kompanitë që organizojnë eksportin, në rastin konkret të domates. Rregullorja në fjalë e Maqedonisë ka një afat kohor deri në 5 ditë për t’u kthyer përgjigje analizave që, siç e theksova, shpeshherë edhe keqpërdoret nga institucionet dhe unë kam kërkuar sot nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë dhe nga ministri i Financave që situata do të duhet të zgjidhet menjëherë brenda ditës së sotme. Nëse jo, ne, brenda të gjithë të drejtave që na jep edhe marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi të drejtë të ndërmarrim akte reciprociteti ndaj eksporteve maqedonase, importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe kuptohet që në këtë aspekt jemi në të drejtën tonë legjitime për ta kthyer aktin me një akt reciprociteti. Sigurisht që nuk është zgjidhja më e mirë”, tha ministri Ahmetaj lidhur me bisedën me autoritetet e Maqedonisë.

“Ne po presim deri ditën e nesërme kur besoj do të kemi informacion për fillimin e procedurës së ndryshimit të rregullores, e cila do të bëjë të mundur që prodhimet bujqësore të mos presin në kufi, por të shkojnë në destinacionet e tyre, qoftë në tregjet frigoriferike. Dhe, kur flas për tregjet frigoriferike – kompanitë që përdorin frigoriferë për të mbajtur produktet e bujqësore dhe në vendet e përshtatshme, e jo të rrezikojnë në prishje dhe në prishje biznesi gjithashtu në doganat e vendit fqinj. Nëse deri nesër nuk është zgjidhur çështja dhe problemi, atëherë në bashkëpunim me ministrinë e Bujqësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Doganat, do te marrim masat menjëherë dhe sigurisht që shpresojmë të mos shkojmë deri atje”, është shprehur Ahmetaj.

“Të enjten do të zhvillohet në Moldavi mbledhja e Nënkomitetit të CEFTA, ku kjo do të jetë çështja kryesore që do të ngrejë Shqipëria”, konfirmoi ministri Ahmetaj.

Shekulli Agency