Erdogan dhe Obama dakortësohen të thellojnë bashkëpunimin kundër DAESH

Presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një bisedë telefonike që kanë pasur të enjten kanë folur për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër DAESH-it.

sh-erdogan-obama

Të dy liderët gjatë një bisede telefonike që kanë bërë të enjten kanë biseduar për fuqizimin e bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër DAESH-it, çfarë mund të bëhet përballë aktivitetit ushtarak të Rusisë në Siri, sulmet e organizatës terroriste PKK si dhe çështjet që do të trajtohen në samitin e G-20.

Liderët kanë përsëritur qëndrimin e tyre të përbashkët për të rritur presionin ushtarak mbi DAESH-in dhe për të forcuar opozitën e moderuar siriane me synimin për të krijuar kushte për zgjidhjen e konfliktit me anë të bisedimeve duke përfshirë edhe tranzicionin politik, thuhet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë.

Turqia, e cila ka një kufi të gjatë tokësor me Sirinë, është anëtare e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të dhe që lufton për shkatërrimin e DAESH-it. Koalicioni synon të shkatërrojë përfundimisht militantët dhe të iniciojë një tranzicion politik në Siri, pa presidentin Beshar Esad.

Obama dhe Erdogan ranë dakord gjithashtu edhe për nevojën urgjente për t’u dhënë fund sulmeve të PKK-së në Turqi, një organizatë kjo që është shpallur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja.

Që nga korriku i këtij viti më shumë se 150 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë janë martirizuar, ndërsa janë vrarë më shumë se 2,000 terroristë të PKK.

Mësohet se gjatë bisedës telefonike, Obama dënoi sulmin terrorist të 10 tetorit në stacionin e trenit në Ankara, ku mbetën të vrarë 99 persona.

“Obama i ka përcjellë homologut turk ngushëllimet si edhe solidaritetin e SHBA-ve lidhur me kërcënimet e sigurisë, me të cilat përballet Turqia” bën të ditur Shtëpia e Bardhë në komunikatën e saj. Sulmi i së shtunës ishte sulmi më vdekjeprurës terrorist në historinë e Turqisë.

Të dy liderët biseduan edhe për shtysën pozitive që karakterizon bisedimet në Qipro, ndërsa theksuan se të dy do të vazhdojnë të përkrahin përpjekjet që do të bëhen në drejtim të zgjidhjes së problemit.

Gjithashtu Presidenti Erdoan dhe ai amerikan Obama shkëmbyen mendime mbi pikat e agjendës së samitit G20, që sivjet do të mbahet në Antalya të Turqisë.

Shekulli Agency