Rusia: Përpjekja e Perëndimit për të na mposhtur strategjikisht ka dështuar

Sekretari i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Sergei Shoigu tha se ka dështuar përpjekja e shteteve perëndimore për t’i shkaktuar disfatë strategjike vendit të tij duke i dërguar para dhe armë Ukrainës.

Shoigu foli në takimin e sekretarëve të Këshillit të Sigurisë të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive që u mbajt në qytetin Almaty të Kazakistanit.

Duke tërhequr vëmendjen se Perëndimi vazhdon të dërgojë para dhe armë në Ukrainë, Shoigu tha se trajnuesit ushtarakë perëndimorë ofrojnë trajnime intensive për ushtarët ukrainas.

“Me përpjekjet e shteteve perëndimore, mercenarët dhe militantët e organizatave terroriste ndërkombëtare transferohen në Ukrainë. Me pëlqimin e tyre dhe shpesh me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë, kryhen bombardime sistematike kundër civilëve dhe infrastrukturës civile në rajonet e Rusisë”, theksoi Shoigu.

Ai tha se këto veprime tregojnë se janë plotësisht kundër një objektivi të kuptueshëm. “Ky objektiv është përdorimi i Ukrainës si një armë kundër Rusisë. Tani është bërë plotësisht e qartë se përpjekja e Perëndimit për të mposhtur strategjikisht Rusinë ka dështuar”, potencoi Shoigu.

Shoigu pretendon se nuk do të jetë e mundur të ndalohet agresioni i vendeve perëndimore, pasi hegjemonia e tyre po i afrohet gradualisht kolapsit.

Sipas tij, sistemi i shfrytëzimit grabitqar të Perëndimit është lënë pas. “Tashmë bota shumëpolare që është krijuar, do të funksionojë me ligje të ndryshme që nuk nënkuptojnë heqje dorë nga interesat kombëtare, identiteti dhe sovraniteti”, tha ai.

Shekulli Agency