Ekipi Kombëtar i Futbollit të Shqipërisë pritet në Tiranë me nderime të larta shtetërore

Pas mbërritjes në Tiranë, futbollistët dhe përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë pritur nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.

kombetarjaFutbollistët e Ekipit Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë kanë mbërritur në Tiranë, ku janë pritur nga mijëra tifozë, por edhe personalitete të larta të vendit, në një atmosferë festive.

Për të pritur Ekipin Kombëtar në Rinas është organizuar një ceremoni zyrtare me nderime shtetërore. Ndërkohë pas mbërritjes në Rinas, ekipi dhe zyrtarët e tjerë të Federatës Shqiptare të Futbollit janë nisur drejt Tiranës, ku është organizuar një tjetër pritjeje me nderime të larta shtetërore në selinë e Kreyeministrisë. Ndërkohë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza” janë mbushur nga mijëra tifoz dhe qytetarë, të cilët të emocionuar dhe me simbolet kombëtare në duar, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë festive.

Pas mbërritjes në Tiranë, futbollistët dhe përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë pritur nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.

Trajneri Gianni De Biasi, kapiteni i skuadrës, Lorik Cana, si dhe futbollistët kanë kaluar në tapetin e kuq, nën shoqërimin e truprojave të nderit dhe bandës frymore të Gardës.

Në ambientet e kryeministrisë, Rama ka mbajtur një fjalë, ku ndër të tjera ka theksuar se: “Mbrëmë ju kurorëzuat me sukses vrapimin më të vështirë të jetës dhe pa dyshim të gjithë historisë së futbollit shqiptarë, drejt një ëndrre të pa mundur , ku deri dy vjet më parë askush nuk guxonte ta shihte me sy mbyllur e jo më sy hapur”.

Shqipëria është kualifikuar zyrtarisht për në Kampionatin Europian “Francë 2016” dhe është hera e parë që kualifikohet në një kampionat  të përmasave të tilla, duke arritur një rekord historik.

Duke qenë se ky është  rezultati më i mirë për kombëtaren e Shqipërisë në të gjitha kohërat, kjo ka sjellë edhe atmosferë të madhe festive në të gjitha qytetet e vendit. Entuziazmi nuk është mbyllur mbrëmë, pasi edhe sot mijëra tifozë të ekipit Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë, por edhe qytetarët e moshave të ndryshme janë mbledhur në sheshet dhe rrugët kryesore të Tiranës.

Pas pritjes nga kryeministri, Edi Rama, festimet vazhdojnë në sheshin “Nënë Tereza”, ku po organizohet një koncert i madh festiv, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka vlerësuar ekipin Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë me Dekoratën “Nderi i Kombit”, ndërsa do të zhvillohet ceremonia e dekorimit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ekipit Kombëtar./AA/

Shekulli Agency