Kroaci, mijëra njerëz në kortezhin e përkujtimit të viktimave të Vukovarit

Dita përkujtimore e viktimave të Vukovarit me rastin e 30-vjetorit të rënies së qyteti kroat shënohet me një sërë ngjarjesh, e njëra prej tyre është edhe kortezhi përkujtimor.

Këtë vit, kortezhi përkujtimor, i organizuar në përputhje me masat epidemiologjike, udhëhiqet nga anëtarët e familjeve të të vrarëve dhe të zhdukurve, veteranët kroatë të luftës, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kryeministri Andrej Plenkoviç dhe kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviç.

Këtë vit, në mesin e pjesëmarrësve është edhe anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç.

Programi përkujtimor filloi me tubimin e përfaqësuesve të shoqatave të veteranëve dhe kreut shtetëror para Spitalit Memorial Kombëtar Vukovar, ku u mbajt programi i veçantë i quajtur “Vukovari – vend i patriotizmit me pietet të veçantë”.

Kortezhi dinjitoz u nis përpara Spitalit Memorial Kombëtar të Vukovarit, ku refugjatët ikën në vitin 1991. Pjesëmarrësit e kolonës duhet të kalojnë rrugën 5.5 kilometra për rreth dy orë. Kolona e përkujtimit do të përfundojë në Varrezat Përkujtimore të viktimave të Luftës, ku do të bëhet lutja për viktimat e Vukovarit, në krye me Imzot Gjuro Hraniç, kryepeshkop dhe mitropolit i Osjekut.

Pjesëmarrësit në kortezhin përkujtimor, përfshirë edhe kreun shtetëror, do të vendosin kurora me lule në varreza dhe më pas Imzot Ivan Shashko, peshkop ndihmës i Zagrebit, do të udhëheqë Eukaristinë solemne.

Dita përkujtimore për viktimat e Luftës kroate dhe Dita përkujtimore për viktimat e Vukovarit dhe Shkabërnjës është një manifestim kombëtar që shënohet në Kroaci më 18 nëntor në kujtim të ditës kur u thye mbrojtja e qytetit të Vukovarit në vitin 1991, gjatë masakrës në Shkabërnje mbrojtësit treguan heroizmin e tyre në Saborsko, Slunj, Cetingrad dhe Rakovica.

Kjo ditë përkujtohet në kujtim të rënies së Vukovarit më 18 nëntor 1991, nën kontrollin e forcave okupuese të formacioneve paramilitare serbe dhe të Armatës Popullore Jugosllave (APJ). Rrethimi dhe beteja për Vukovarin zgjati tre muaj, nga 24 gushti deri më 18 nëntor 1991. Qyteti, i cili u shndërrua në një gërmadhë në kohën kur ra në duart e APJ-së, u mbrojt nga afër 1.800 pjesëtarë të forcave kroate. Linja e mbrojtjes ishte dhjetë kilometra e gjatë.

Në luftime u vranë midis 2.900 dhe 3.600 njerëz. Sipas spitalit të Vukovarit, 1.624 civilë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Kroate u vranë ndërsa 1.219 u plagosën. Më shumë se 22 mijë banorë të paraluftës mbetën të pastrehë dhe u dëbuan.

Së bashku me viktimën e Vukovarit, përkujtohet edhe kujtimi i masakrës së 43 civilëve kroatë në Shkabërnjë, të kryer në të njëjtën ditë të vitit 1991.

Shtatë vjet pas rënies, Vukovari u riintegrua paqësisht. Qyteti, i cili kishte më shumë se 44 mijë banorë para luftës, tani ka pak më shumë se 27 mijë banorë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GJNPJ) në Hagë dënoi Mile Mërkshiç, një nga komandantët e njësive të APJ-së, me 20 vjet burg për vrasje dhe torturë dhe Veselin Shljivançanin me 10 vjet burg për torturë, por u lirua nga akuzat për gjenocid dhe shfarosje të popullatës joserbe ndërsa Miroslav Radiç u lirua nga akuza.

Sllavko Dokmanoviç, kryetari i Kuvendit Komunal të Vukovarit në kohën e luftës, gjithashtu u padit dhe u arrestua, por ai kreu vetëvrasje para se të jepej vendimi në vitin 1998. Krimet në Vukovar ishin pjesë e aktakuzës kundër ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili nuk priti vendimin për shkak se vdiq në paraburgimin e Gjykatës së Hagës në vitin 2006.

Vojisllav Sheshel, lideri i “Shqiponjave të Bardha”, u lirua nga GJNPJ nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, përfshirë dhe konfliktet në Vukovar.

Shekulli Agency