Ambasadori turk: Turqia do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve

Institucionet turke vazhdojnë mbështetjen ndaj institucioneve të ndryshme në Shqipëri, ndërkohë Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar për Bashkinë e Konispolit në jug të vendit një automjet për transportimin e nxënësve.

Pas takimit të ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, me kryetarin e B

ashkisë së Konispolit Shuaip Beqiri, u mbajt aktivitetit i dorëzimit të automjetit të dhuruar nga TIKA, organizuar në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Bido Sejko” në Konispol.

Ambasadori turk, Yörük, në një prononcim për AA tha se Konispoli ka marrëdhënie të mira me Turqinë pasi sipas tij ka edhe bashki të binjakëzuara si Afyonkarahisar dhe Seferihisar.

“Ne kemi kontribuar shumë për Konispolin dhe ndihma që ne i kemi dhënë deri më tani shkon në 1 milion euro. Sot jam këtu për t’i sjell përshëndetjet tona nga populli turk dhe presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan si dhe për t’u sjellë nxënësve të shkollës shtetërore të Bashkisë Konispol një mjet transporti në mënyrë që nxënësit e kësaj shkolle të mund të shkojnë të sigurt nga shtëpitë e tyre në shkollë dhe nga shkolla në shtëpitë e tyre”, u shpreh Yörük.

Ambasadori turk theksoi se ai është njohur edhe me problematika të tjera të bashkisë dhe se për t’i zgjedhur ato do të punojë më institucione të ndryshme.

Yörük u shpreh ndër të tjera se Turqia do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve ashtu sikur qëndroi pranë tyre gjatë tërmetit dhe pandemisë.

Kryetari i Bashkisë Konispol, Shuaip Beqiri, në një deklaratë për AA tha se ka pasur një bashkëpunimi disavjeçar dhe ndihmë konkrete nga shteti turk, për bashkinë që ai drejton.

Ai tha se kanë pasur një bashkëpunim me ambasadën turke, me TIKA-n, me Fondacionin Alsar dhe me bashkitë Afyonkarahisar dhe Seferihisar, që sipas tij kanë bërë të mundur disa ndihma.

“Flasim për ndihma konkrete, siç ka qenë flota e pastrimit, ndihmat në pompat e ujit për furnizimin me ujë të pijshëm, ndihmat për bazën materiale për shkollën dhe siç ka qenë edhe ndihma e fundit kjo që bëmë të mundur sot bashkë me ambasadorin për furgonin që erdhi, që do të vihet në dispozicion të fëmijëve. Nuk është pak sepse do të transportojë fëmijë gati nga 30 kilometra larg”, tha Beqiri.

Duke iu drejtuar ambasadorit turk, Beqiri dërgoi përshëndetjet e tij për qeverinë turke dhe presidentin Erdoğan.

Pas aktivitetit dhe takimeve në Konispol, ambasadori Yörük realizoi një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma. Anadolu Agency

Shekulli Agency