SHBA akuzon Rusinë për minimin e uljes së tensioneve në Ukrainë

SHBA akuzoi Rusinë se me veprimet e saj ka minuar uljen relative të tensioneve në Ukrainën lindore midis forcave qeveritare dhe rebelëve separatistë.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, u tha gazetarëve se “veprimet destabilizuese” të Rusisë kanë minuar marrëveshjen e armëpushimit të korrikut e cila paralajmëronte një ulje të dukshme të dhunës.

“I kemi kërkuar Rusisë një shpjegim të këtyre provokimeve, por më e rëndësishmja, ajo që kemi sinjalizuar drejtpërdrejt me partnerët tanë ukrainas është një mesazh sigurie”, u tha Price gazetarëve. “Ne qëndrojmë pranë Kievit. Ne jemi pranë partnerit tonë Ukrainës përballë këtij kërcënimi dhe agresioni”, tha ai.

Më 30 mars, Ruslan Homchak, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha se Rusia vendosi ushtrinë e saj pranë kufirit të Ukrainës për “stërvitje”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia lëvizi forcat e armatosura brenda territorit të saj “sipas një vlerësimi të saj”, gjë për të cilën tha se “nuk përbën ndonjë kërcënim për askënd”.

I pakënaqur nga shpjegimi i Rusisë, Price tha se SHBA-ja kundërshton vendosjen ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, duke e përshkruar atë si “arsye për shqetësim”.

“Shtetet e Bashkuara sigurisht do të shqetësohen nga çdo përpjekje nga ana e Moskës, qoftë brenda territorit rus, apo brenda Ukrainës sovrane, për të frikësuar partnerin tonë, Ukrainën”, tha Price.

Së bashku me mbështetjen ushtarake të rebelëve separatistë në rajonet e Ukrainës Donetsk dhe Luhansk, të cilat kolektivisht njihen si Donbas, Rusia në vitin 2014 gjithashtu pushtoi dhe aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, duke dërguar trupa atje dhe organizoi një referendum.

Referendumi është hedhur poshtë gjerësisht nga Perëndimi si një mënyrë për të siguruar mbulesë për veprimet e Rusisë.

Shekulli Agency