Maqedoni e Veriut, fillon imunizimi masiv për virusin COVID-19

Në qendrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup ka filluar imunizimi masiv i popullsisë për koronavirusin e ri (COVID-19), raporton (AA).

Në këtë fazë, personat nga e ashtuquajtura infrastrukturë kritike do të imunizohen, respektivisht punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të ushtrisë, si dhe shoferët e autobusëve, zjarrfikësit, mësuesit e kopshteve dhe të tjerë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në lidhje me vaksinimin tha se po zhvillohet pa probleme në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, ku po kryhet vaksinimi i qytetarëve mbi 77-vjeç, si dhe në qendrën sportive “Boris Trajkovski” ku brenda një ore po vaksinohen rreth 300 qytetarë dhe pritet që të vaksinohen 3 mijë qytetarë në ditë.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 10 mijë qytetarë.

Ministri Filipçe apeloi te qytetarët që të respektojnë masat e reja, sepse siç tha ai, përgjegjësia individuale është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Vetëm në këtë mënyrë numrat do të ulen ndjeshëm në periudhën e ardhshme dhe për një kohë të shkurtër do të dalim nga kjo valë e tretë”, tha Filipçe.

Deri më tani 78 mijë vaksina kanë mbërritur në vend, nga të cilat 48 mijë janë donacione nga Serbia me të cilat më 17 shkurt filloi procesi i vaksinimit të personelit mjekësor.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 3.997 vdekje nga COVID-19, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus ka arritur në 135.143.

Shekulli Agency