Princi saudit Turki bin Faisal pretendon se Izraeli është fuqi koloniale perëndimore

Princi Turki bin Faisal, ish-shefi i Shërbimit të Inteligjencës Saudite, kritikoi ashpër administratën e Tel Avivit, duke pretenduar se Izraeli është një fuqi koloniale perëndimore.

Princi Saudit, i cili ishte ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britaninë e Madhe, kritikoi ashpër autoritetet izraelite në Samitin e Sigurisë në Bahrejn në një fjalim përmes video konferencës.

Ai tha se çdo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin duhet të ndihmojë palestinezët të fitojnë shtetin e tyre të pavarur, duke shtuar se Izraeli është një fuqi koloniale perëndimore dhe rikujtoi se autoritetet e Tel Avivit arrestojnë palestinezët në kampe përqendrimi nën akuza të pabaza.

“Ata po shkatërrojnë shtëpitë e tyre dhe vrasin kë të duan”, tha princi saudit.

Të dhënat nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë tregojnë se rreth 5.700 palestinezë ndodhen në burgjet e Izraelit, përfshirë gra dhe të mitur. Sipas të dhënave, ka rreth 230 të mitur.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejni nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin në Shtëpinë e Bardhë në mes të shtatorit të këtij viti. Kohët e fundit edhe Sudani ra dakord për një marrëveshje të tillë.

Udhëheqësia palestineze, përfshirë Lëvizjet Fatah, Hamas, Xhihadi Islam dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, janë të mendimit se normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin është një tradhti e madhe.

Bisedimet e paqes midis Izraelit dhe Palestinës u pezulluan në prill 2014 dhe nuk kanë rifilluar që atëherë, përkundër përpjekjeve, kryesisht për shkak të refuzimit të Izraelit për të pranuar kufijtë e vitit 1967, dakordimit për kthimin e palestinezëve që u desh të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të ndalojë ndërtimi i vendbanimeve të paligjshme të kolonëve hebrenj.

Shekulli Agency