Bilalli: BDI-PDSH të përfshira në veprimtari kriminale, partitë e reja duhet të bashkohen

111-Mersel-BilalliKriza politike në Maqedoni si asnjëherë më parë ka nxjerrë në sipërfaqe parti të reja politike të cilat vlerësojnë se tani është momenti i duhur për imponimin e tyre si opsioni i tretë politik.

Kjo, në veçanti vjen në shprehje tek shqiptarët të cilët brenda një periudhe të shkurtër kanë nxjerr dy parti të reja dhe disa të tjera si fraksione të dala nga partitë ekzistuese, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Njohësit e çështjeve politike thonë se subjektet e reja politike janë pasojë e partive aktuale, që sipas,

Mersel Bilalli, profesor në Universitetin FON të Shkupit, kanë devijuar nga programet e tyre ndërsa shumë prej anëtarëve të tyre janë përfshirë në veprimtari kriminale, siç thotë ai.

“Unë mendoj se kjo është rezultat i dështimit të strukturave partiake që kanë qenë pjesë e pushtetit, por edhe të atyre që janë pjesë e opozitës dhe natyrisht se e gjithë kjo rezulton me fragmentarizëm të ri. Mendoj se është një proces shumë normal dhe unë nismat e tilla i mbështes, por me kusht që të gjitha të bashkohen në një strukturë të përbashkët opozitare për ndryshime të mundshme“, thekson Bilalli.

I pyetur nëse partitë e reja mund të bashkohen në një frontë duke marrë parasysh dallimet që janë paraqitur ende pa u konsoliduar dhe kundërshtimet që mund të vijnë nga partitë nga partitë e skenës aktuale politike, Bilalli u shpreh.

“Vlerësoj se subjektet që janë pjesë e pushtetit, flas për partitë shqiptare qoftë në pushtet apo opozitë, janë shumë të devalvuara deri në fund dhe obstruksionet e tyre nuk besoj se do të jenë shumë të suksesshme”.

“Unë mendoj se pa marrë parasysh dallimin konceptuale mes subjekteve, apo lëvizjeve të reja, të gjitha ato duhet të bashkohen në një ide, në një strukturë të përgjegjshme funksionale dhe të pa korruptuar. Mendoj se këtu ato mund ta gjejnë konsensusin“, thotë Bilalli.

Shekulli Agency