Libi, pas tërheqjes, milicitë e Haftarit lanë mbrapa shkatërrim të madh në Tripoli

Vendbanimet në jug të kryeqytetit të Libisë, Tripoli, të cilat ushtria libiane i çliroi nga milicitë besnike të udhëheqësit të forcave të armatosura jolegjitime Khalifa Haftar, mbajnë gjurmët e ashpërsisë së luftës në vend, shkruan (AA).

Khalifa Haftar, udhëheqësi i forcave të paligjshme të armatosura në lindje të Libisë, e tërhoqi vendin e tij drejt spirales së dhunës kur ai urdhëroi milicitë e tij të sulmonin kryeqytetin Tripoli më 4 prill 2019.

Milicitë e Haftarit vazhduan sulmet e tyre mbi kryeqytetin pa ndërprerje deri në qershor të vitit 2020. Ushtria libiane pastroi tërë kufijtë administrativë të kryeqytetit nga forcat e paligjshme më 4 qershor të këtij viti. Megjithatë, pas ka mbetur shkatërrimi i madh i shkaktuar nga lufta e nisur nga Haftar për të marrë nën kontroll kryeqytetin dhe administratën e vendit.

Pas procesit të emëruar si Pranvera Arabe, në Libi, e cila tashmë po luftonte me paqëndrueshmërinë, gati 200 mijë libianë u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre pas fillimit të sulmeve të Haftarit mbi kryeqytetin. Sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara (OKB), të paktën 400 mijë njerëz në Libi jetojnë të shpërngulur. Autoritetet libiane theksojnë se ky numër është shumë më i lartë, së bashku me libianët që janë shpërngulur por që OKB nuk i ka regjistruar.

Zona Ain Zara, e shkatërruar nga lufta

Lagjja Ain Zara, dikur një nga periferitë më të ngarkuara të kryeqytetit Tripoli, u shqua si një nga linjat e frontit ku militantët e Haftarit u përpoqën të përparojnë drejt kryeqytetit.

Të gjitha gjurmët e konfliktit shkatërrues janë të dukshme në Ain Zara, siç shfaqen edhe në pamjet e realizuara nga ekipi i AA-së. Ndërsa lëvizni drejt lagjes, dyqanet, makinat, shtëpitë dhe rrugët mbajnë gjurmët e luftës, të cilat ende janë të freskëta.

Abdel-Rahman Mohammad al-Shera, një banor i kësaj zone, tha për AA se kur është kthyer në shtëpi, e ka gjetur atë të rrënuar dhe mobiljet e vjedhura.

Ai tha se ishte dëshmitar se si bandat al-Kani, milicia që lufton për Haftarin, kanë ekzekutuar një njeri që po punonte me të në dyqanin e tij pasi fillimisht e kishin rrëmbyer.

Ndërkaq, Jum’a Turban tha se është i lumtur që u kthye në Ain Zara, por shtoi se riparimet në shtëpinë e tij dykatëshe do të zgjasin tre deri në katër muaj.

Ai tha se për t’u vendosur sërish me familjen e tij, pret që të sigurohet uji dhe energjia elektrike, e cila është ndalur pasi militantët e Haftarit kanë prerë dhe vjedhur kabllot.

Eksplozivë të vendosur nëpër shtëpi

Pas çlirimit të plotë të kryeqytetit, në vendbanimet civile në jug të Tripolit u zbuluan mina dhe eksplozivë të shumtë, të vendosur si kurthe nga forcat e Haftarit gjatë tërheqjes.

Ekspertët e forcave të armatosura turke vazhdojnë përpjekjet për të detonuar minat, në mënyrë që të garantohet kthimi i sigurt i civilëve.

Qendra Libiane për Pastrimin e Minave dhe Mbetjeve të Luftës tha më 16 qershor se minat e vendosura nga militantët kanë vrarë 39 civilë dhe kanë plagosur të paktën 100 të tjerë, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Qeveria e Libisë nisi operacionin “Stuhia e Paqes” në muajin mars për të kundërshtuar sulmet ndaj kryeqytetit dhe kohët e fundit ka marrë disa vende strategjike, duke përfshirë zonat jugore të Tripolit, bazën ajrore Al-Watiya, qytetin Tarhuna dhe qytete të tjera në Libinë perëndimore.

Rreth 120.000 shtëpi vlerësohet të jenë dëmtuar dhe 1.000 njerëz kanë humbur jetën si rezultat i agresionit të forcave të paligjshme të Haftarit kundër Tripolit.

Shekulli Agency