OKB: Mbi 500.000 vdekje nga SIDA nëse nuk reduktohen ndërprerjet e shërbimeve shëndetësore shkaku i COVID-19

Një grup i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Programit të Kombeve të Bashkuar për HIV/AIDS (UNAIDS) ka vlerësuar se nëse ndërprerjet e shërbimeve shëndetësore shkaku i koronavirusit të ri (COVID-19) nuk reduktohen, atëherë një ndërprerje gjashtë-mujore e terapisë antiretrovirale mund të shkaktojë mbi 500 mijë vdekje shtesë nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.

Grupi i modelimit i thirrur nga OBSH dhe UNAIDS lëshoi vlerësimin për dështimin për të lehtësuar dhe tejkaluar ndërprerjet në shërbimet shëndetësore dhe furnizimet gjatë pandemisë globale.

“Një ndërprerje gjashtë mujore e terapisë antiretrovirale në Afrikën sub-sahariane në vitin 2020-2021 mund të çojë në mbi 500 mijë vdekje shtesë nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n, përfshirë ato nga tuberkulozi”, tha OBSH dhe UNAIDS në një deklaratë të përbashkët. 

Në vitin 2018, në rajon vdiqën rreth 470 mijë njerëz nga vdekjet e lidhura me SIDA-n.

“Perspektiva e tmerrshme për gjysmë milionë njerëzish në Afrikë që vdesin nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n është sikur të kthehesh prapa në histori. Ne duhet ta shohim këtë si një thirrje zgjimi për vendet për të identifikuar mënyrat për të mbështetur të gjitha shërbimet shëndetësore jetësore”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.

Ai vuri në dukje se për virusin HIV disa vende tashmë janë duke ndërmarrë hapat e nevojshme.

Këto përfshijnë sigurimin që njerëzit nga pikat e lëshimit të mund të marrin pako trajtimesh dhe mallra të tjera thelbësore, përfshirë kutitë e vetë-testimit, gjë që lehtëson presionin mbi shërbimet shëndetësore dhe forcën e punës shëndetësore. 

“Ne po ashtu duhet të sigurojmë që furnizimet globale të testeve dhe trajtimeve të vazhdojnë të rrjedhin në vendet që kanë nevojë për to”, theksoi Tedros. 

Të dy organet shëndetësore thanë se shumë arsye të ndryshme mund të shkaktojnë ndërprerjen e shërbimeve.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të UNAIDS, Winnie Byanyima, “pandemia COVID-19 nuk duhet të jetë justifikim për të larguar investimet nga HIV”.

“Ekziston rreziku që fitimet e fituara me vështirësi të përgjigjes ndaj SIDA-s të sakrifikohen në luftën kundër COVID-19, por e drejta për shëndet do të thotë që askush nuk mund të luftojë me sëmundjen në kurriz të tjetrit”, tha Byanyima. 

OBSH dhe UNAIDS kërkuan nga vendet që tani të ndërmarrin veprime pasi ndikimi i një ndërprerjeje gjashtë-mujore të terapisë antiretrovirale mund në mënyrë efektive të kthejë orën prapa në vitin 2008 sa i përket vdekjeve të lidhura me SIDA-n. 

Në atë vit, Afrika sub-sahariane ishte dëshmitare e mbi 950 mijë vdekjeve të lidhura me SIDA-n.

Shekulli Agency