OBSH: SHBA nuk ka paraqitur prova se COVID-19 ka dalë nga laboratori në Wuhan

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se SHBA-ja nuk ka paraqitur ndonjë provë që të mbështesë pretendimin e saj se burimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) është laboratori në qytetin Wuhan të Kinës.

Sipas artikullit në gazetën “The Guardian”, drejtori për programin e situatave emergjente të OBSH-së, dr. Michael Ryan ka deklaruar se qeveria e Washingtonit nuk i ka përcjellë OBSH-së provat për të mbështetur pretendimet e tyre.

Ai thotë se njohja e burimit të COVID-19 është një informacion kritik i shëndetit publik për kontrollin e një virusi në të ardhmen, “Ashtu si çdo institucion që punon bazuar mbi rastet edhe ne jemi të hapur për çdo informacion që tregon origjinën e virusit. Nëse SHBA posedon informacione ose të dhëna për këtë çështje, duhet të vendosë nëse do t‘i ndajë apo jo ose kur do t’i japë. OBSH nuk ka mundësi të veprojë në mungesë të informacionit”, tha Ryan.

Pasi vuri në dukje se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me Kinën është thelbësore në procesin e luftimit të pandemisë dhe se çështja nuk duhet të politizohet, Ryan thekson se “Nëse kjo zhvillohet si një hetim abuziv, zgjidhja e saj do të jetë shumë e vështirë. Ajo shdërrohet në një problem politik”.

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo i ftuar më 3 mars në kanalin amerikan të lajmeve ABC News deklaroi se “Kina ka një histori për infektimin e botës me laboratorë nën standardet që ata drejtojnë. Mund t’iu them se ka shumë prova që ky (COVID-19) ka dalë nga laboratori në Wuhan”.

Në një deklaratë të ngjashme edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha se ka parë prova se virusi ka dalë nga laboratori në qytetin Wuhan, por se aktualisht nuk mund të ndante prova lidhur me këtë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) i përfshirë në Task Forcën kundër COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, dr. Anthony Fauci në një deklaratë për revistën “National Geographic” tha se provat shkencore tregojnë në mënyrë të fortë se virusi nuk mund të manipulohet artificialisht ose qëllimisht.

Shkencëtarët amerikanë, britanikë dhe australianë në artikullin me temë “Afërsia e origjinës SARS-Cov-2” të publikuar në revistën “Nature” më 17 mars arritën në përfundimin se në pjesët ku COVID-19 mbahet në qelizat njerëzore ka gjurmë të seleksionimit natyral dhe për këtë arsye nuk mund të jetë i prodhuar në laborator.

Shekulli Agency