Erdogan: Turqia nuk do të tolerojë më provokimet në zonën e sigurt të Sirisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia nuk do të tolerojë më provokimet e terroristëve në zonën e sigurt në Idlib, në pjesën veriperëndimore të Sirisë, si dhe rritjen e sulmeve që kundërshtojnë marrëveshjet.

Presidenti Erdoğan gjatë fjalimit të tij pas takimit të kabinetit në Stamboll, tha se grupet terroriste po tentojnë të shfrytëzojnë preokupimin e Turqisë me pandeminë e koronavirusit për të rritur sulmet brenda kufijve të Turqisë dhe më gjerë.

“Vetëm kjo sjellje është e mjaftueshme për të treguar se sa larg është grupi terrorist nga njerëzimi”, tha ai.

Erdoğan tha se Forcat e Armatosura Turke vazhdimisht po ndjekin dhe neutralizojnë terroristët, duke shtuar se operacionet përtej kufirit gjithashtu vazhdojnë pa ndërprerje.

“Ne monitorojmë nga afër çdo hap të anëtarëve të grupit terrorist që veprojnë në një zonë të gjerë në Irakun verior dhe Siri”, shtoi ai.

Erdoğan theksoi se Turqia menjëherë neutralizon anëtarët e grupit terrorist që përpiqen të depërtojnë në zonat e siguruara në Siri.

Që nga viti 2016, Turqia ka filluar operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe të mundësojë kthimin paqësor të vendasve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018), Burimi i Paqës (2019) dhe Mburoja e Pranverës (2020).

“Ne i ftojmë vendet që kanë ndikim në rajon që të zbatojnë marrëveshjet tona të përhershme, të mbajnë grupin terrorist jashtë kufijve të vendosur dhe të parandalojnë sulmet e regjimit”, shtoi Erdoğan, duke shtuar se për fat të keq, “asnjë vend nuk po e përmbush plotësisht premtimin e vet në këtë drejtim”.

Presidenti i Turqisë tha se nëse ata që mbështesin grupin terrorist dhe regjimin nuk mund t’i kontrollojnë ata, “vetë Turqia do t’i sjellë ata në gjunjë”.

Idlibi bën pjesë në zonën e deeskalimit të parashikuar në një marrëveshje midis Turqisë dhe Rusisë në fund të vitit 2018. Magjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës.

Libia

Presidenti Erdoğan tha se Turqia është e përkushtuar të vazhdojë të mbështesë qeverinë legjitime libiane për të transformuar zonën në një rajon të paqes.

“Siguria e Libisë dhe paqja dhe mirëqenia e popullit libian janë çelësi i stabilitetit i të gjithë Afrikës Veriore dhe Mesdheut”, theksoi ai.

Erdoğan gjithashtu tha se falë mbështetjes që Turqia ia ofron qeverisë legjitime, puçisti Khalifa Haftar po humbet terren.

Presidenti i Turqisë tha se vendet që i ofrojnë Haftarit mbështetje të pakufizuar financiare dhe në armatim, nuk do të jenë të mjaftueshme për të shpëtuar atë, duke shtuar se Haftar gjithashtu përballet me kundërshtimin e vendasve në tokat që ai i pushton me çdo hap që ndërmerr.

“Shpresojmë, së shpejti do të marrim lajme të reja të mira nga Libia”, shtoi Erdoğan.

Ushtria Libiane kohët e fundit ka bërë përparime kundër milicive të Haftarit, të cilat mbështeten nga Franca, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti.

Pas rrëzimit të sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB) në vitin 2015 u themelua qeveria e Libisë. Që nga prilli i vitit 2019, kjo qeveri është sulmuar nga forcat e Haftar-it me bazë në Libinë lindore dhe në këto sulme kanë humbur jetën mbi 1 mijë persona.

Shekulli Agency