Kosovë, arrin kontingjenti i dytë i ndihmave nga Turqia për ballafaqim me COVID-19

Ka arritur të premten pasdite në Prishtinë edhe kontingjenti i dytë pajisjeve mjekësore nga Turqia për ballafaqimin e autoriteteve shëndetësore në Kosovë me koronavirusin e ri (COVID-19).

Në një njoftim në rrjetet sociale të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), u bë e ditur se ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë Çagri Sakar kanë vlerësuar “se bashkëpunimi midis shteteve ka një rëndësi të jashtëzakonshme në ballafaqimin me sukses kundër pandemisë COVID-19.

“Ata morën pjesë sot në pranimin e një kontigjenti të pajisjeve mjekësore të cilat Republika e Turqisë i ka dhuruar Kosovës për t’u ballafaquar sa më mirë me pandeminë COVID-19, si pjesë e pakos së ndihmave mjekësore që Turqia solli në Kosovë më 8 prill të këtij viti, përfshirë masa mbrojtëse profesionale për personalin shëndetësor (PPE), aparaturë dhe pajisje tjera mjekësore”, shkruan në njoftim. 

Ministri Vita ka falënderuar shtetin e Turqisë për kontributin dhënë sistemit shëndetësor për përballimin e COVID-19, derisa Ambasadori, Çagri Sakar ka thënë se Turqia është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën dhe shtetet e tjera në ballafaqimin me një problem të përbashkët dhe global.

Pjesë e pajisjeve mjekësore që u pranuan të premten nga Ministria e Shëndetësisë janë pjesë e kontigjentit në vëllim prej 9 m3 të mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve, dedikuar popullit të Kosovës nga Republika e Turqisë.

Shekulli Agency