Në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), institucionet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës zbatojnë orë policore duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve.
Orë policore në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut për të gjithë qytetarët zbatohet nga ora 21:00 deri në ora 05:00 ditën e nesërme.
Gjatë ditëve të fundjavës, ndalesa për lëvizje për të gjithë qytetarët zbatohet nga ora 16:00 deri në ora 05:00.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur kufizime edhe për grupmosha të caktuara. Kështu, është ndaluar lëvizja e personave deri në 18 vjeç nga ora 21:00 deri në ora 12:00 ditën e nesërme. Kjo nënkupton që personat më të rinj se 18 vjeç mund të lëvizin vetën nga ora 12:00 në mesditë deri në ora 21:00.
Personave më të moshuar se 67 vjeç u ndalohet lëvizja nga ora 11:00 deri në ora 05:00 ditën e nesërme. Kështu, të moshuarit kanë të drejtë të dalin nga shtëpia vetëm në intervalin mes orës 05:00 në mëngjes deri në ora 11:00 paradite.
Në një njoftim të fundit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, thuhet se është vendosur orë e veçantë policore për Komunën e Kumanovës. Këtu përfshihet ndalesa e lëvizjes gjatë gjithë vikendit, duka filluar nga sonte (e premte) në ora 21:00 deri të hënën në ora 05:00 të mëngjesit.
Qeveria gjithashtu ka vendosur që në Komunën e Kumanovës, ndalesa për lëvizje për të gjithë qytetarët nga ora 16:00 deri në ora 05:00 të vlejë çdo ditë.
Në Maqedoninë e Veriut gjithashtu është shpallur gjendje emergjente në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, ku janë ndaluar hyrjet dhe daljet.
Shqipëri
Mes masave të shumta, duke përfshirë edhe pezullimin e transportit urban dhe qarkullimit të automjeteve private, institucionet në Shqipëri gjithashtu kanë vendosur edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Gjatë javës nga e hëna e deri të premten është e kufizuar lëvizja e qytetarëve, me përjashtim të një pjesëtari të familjes i cili me anë të lejes nga autoritetet mund të lëvizë nga banesa me arsye të ndryshme.
Autorizimi për të dalë nga banesa përfshin arsyet e blerjes së produkteve ushqimore, ilaçeve apo për arsye të tjera urgjente, ndërsa kohëzgjatja e lejes ditore që mund të përdoret nga ora 05.00-13.00 është një orë.
Njëjtë si fundjavën e kaluar, edhe për këtë fundjavë, është vendosur që të shtunën nga ora 13:00 deri të hënën në orën 15:00, duhet të qëndrojnë të gjithë qytetarët në shtëpi, me përjashtim të punonjësve që kanë autorizime për të shkuar në vendet e punës.
Ndërkohë, për pensionistët është këshilluar qëndrimi në shtëpi, pasi institucionet do të angazhohen për dërgimin e pensioneve në shtëpi dhe ofrimin e shërbimeve të tjera.
Kosovë
Me vendim të Qeverisë së Kosovës nga data 27 mars, është ndaluar lëvizja e qytetarëve në hapësira të hapura nëpër qytete, në përjashtim të banorëve të atyre vendeve dhe personave të autorizuar nga autoritetet kompetente.
Në Kosovë aktualisht është në fuqi ndalesa e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve private nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit.
Kjo masë e ndalimit të lëvizjes sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mund të jetë e vlefshme vetëm deri më 13 prill, sepse pas shqyrtimit, gjykata e vlerësoi atë si antikushtetuese dhe shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.
Qeveria e Kosovës më 23 mars fillimisht vendosi një kufizim në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve në dy intervale kohore, nga ora 10:00 deri në ora 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në ora 06:00.
Më pas, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të bllokimeve të trafikut, qeveria ndryshoi intervalin kohor të ndalimit të lëvizjes, edhe atë nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit. Kjo u plotësua me një vendim sipas së cilit më shumë se dy persona nuk mund të lëvizin në rrugë dhe gjithmonë duke mbajtur një distancë prej dy metrash nga të tjerët.