Erdogan: Po hyjmë në një epokë në të cilën mund të ndodhin ndryshime rrënjësore globale

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas një mbledhjeje qeveritare në lidhje me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe masat parandaluese, tha se tashmë po hyjnë në një periudhë në të cilën mund të ndodhin ndryshime rrënjësore globale në aspektin ekonomik, politik dhe social.

“Po hyjmë në një epokë në të cilën me gjasë do të ndodhin ndryshime rrënjësore globale ekonomike, politike dhe sociale”, tha presidenti turk pas takimit në Ankara.

Ai theksoi se epidemitë me pasoja të rënda në botë, në të njëjtën kohë kanë shkaktuar transformime të mëdha politike, sociale dhe ekonomike.

“Është tejet e qartë se tashmë asgjë nuk do të shkojë si më parë, nuk mundet”, deklaroi Erdogan.

Turqia ka mobilizuar të gjitha mjetet për të eleminuar sa më shpejt kërcënimin e koronavirusit, tha më tej Erdogan, duke shtuar se vendi mund të kufizojë periudhën e qëndrimit në shtëpi në tri javë nëse njerëzit respektojnë masat.

Erdogan u kërkoi qytetarëve të mos largohen nga shtëpia pa nevojë ose të mos kontaktojnë askënd derisa kërcënimi i koronavirusit të largohet.

Ai theksoi se Turqia që nga fillimi ka monitoruar nga afër epideminë dhe ka marrë masa me shpejtësi.

Në kuadër të masave, tha ai, qytetarëve mbi 65-vjeç në Stamboll dhe Ankara do t’u shpërndahen maska dhe kolonjë.

“Ne po i vazhdojmë me gjithë shpejtësinë punimet për zhvillimin e vaksinës dhe ilaçit kundër COVID-19”, shtoi Erdogan.

Turqia deri më tani ka konfirmuar 98 raste nga virusi, prej të cilëve një pacient 89-vjeçar ka humbur jetën.

Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Shekulli Agency