Një tjetër lojtar i Juventusit i prekur nga koronavirusi

Klubi italian i futbollit Juventus njoftoi të martën se mesfushori i tyre, francezi Blaise Matuidi ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.

Juventusi në faqen e saj të internetit tha se Matuidi është në izolim vullnetar shtëpiak që nga 11 marsi dhe ai është mirë dhe asimptomatik.

“Ai do të vazhdojë të monitorohet dhe do të ndjekë të njëjtin regjim”, shtoi klubi.

Përfaqësuesi francez u bë lojtari i dytë i Juventusit pasi Daniele Rugani po ashtu u diagnostikua me virus javën e kaluar.

Të gjitha aktivitetet sportive në Itali janë pezulluar deri më 3 prill dhe i gjithë vendi është në mbyllje gati-totale.

Italia ka qenë më e prekura në Evropë nga Covid-19 me 2.503 vdekje, tha Departamenti Italia i Mbrojtjes Civile.

Shekulli Agency