Masa kundër koronavirusit, SHBA pezullon udhëtimet nga Evropa për 30 ditë

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se duke nisur që nga dita e premte kanë pezulluar për 30 ditë të gjitha udhëtimet nga Evropa, me përjashtim të atyre nga Britania.

Trump nëpërmjet një transmetimi nga Zyra Ovale, iu drejtua popullit të tij lidhur me masat që SHBA-ja ka marrë kundër epidemisë së koronavirusit të ri (Covid-19).

“Bashkimi Evropian dështoi në marrjen e masave të nevojshme”, tha Trump duke tërhequr vëmendjen se virusi u transmetua në SHBA nëpërmjet personave të ardhur nga këto vende.

“Me qëllimin për të parandaluar hyrjen e rasteve të reja në territorin tonë, pezullojmë të gjitha udhëtimet nga Evropa në SHBA duke filluar që nga dita e premte. Këto kufizime do të rregullohen sipas situatës në terren. Do të ketë përjashtime për amerikanët që kryejnë mbikëqyrjen e duhur”, tha Trump duke bërë të ditur se pas bisedimeve me ekspertët e shëndetësisë ka marrë “masa të forta por të nevojshme” për të mbrojtur shëndetin e popullit amerikan.

Më tej Trump tha se këto kufizime nuk do të prekin tregtinë dhe transportin kargo dhe gjithashtu Britania do të përjashtohet nga ky zbatim.

Trump njoftoi se janë duke ndjekur edhe situatën në Kinë dhe në Korenë e Jugut dhe në rast të përmirësimit të situatës së tyre mund të rivlerësojnë masat e marra kundër këtyre vendeve.

Shekulli Agency