Thaçi kërkon mbledhje të Qeverisë për të marrë vendime lidhur me kërkesat e SHBA-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që me urgjencë Qeveria e Kosovës të mblidhet për të marrë vendime “në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Siç ka shkruar Thaçi në rrjete sociale, deri më tani nga pala kosovare është cenuar mjaft lidhja e Kosovës me SHBA-në, “pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”.

“Si President i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të SHBA-së”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se krerët institucionalë të Kosovës, liderët politikë apo qeveritarë janë të zëvendësueshëm, ndërsa jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën “është raporti me SHBA-në”.

“Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, ka përfunduar Thaçi.

Presidenti Thaçi javën e kaluar ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të organizojë seancë për të shpalosur detaje rreth takimeve të tij në SHBA ku ka qëndruar atje për një javë, me theks të veçantë detaje nga takimi i tij me homologun serb, Aleksandar Vuçiç dhe praninë e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi nga SHBA-ja, Richard Grenell.

Ai dje është takuar me krerë të partive politike në vend, përjashtuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministrin aktual, Albin Kurtin, ku pas takimeve tha se është dakorduar që të kenë “qëndrim të përbashkët në çështjet me rëndësi vitale për shtetndërtim”.

Thaçi konsideron se aktualisht Kosova është në situatë të favorshme dhe me adresë të besueshme, SHBA-në, e cila aktualisht sipas tij, po e udhëheq dialogun Kosovë-Serbi, që dy vendet fqinje të përfundojnë procesin e dialogut me një marrëveshje e cila do të përfshinte dhe njohjen reciproke mes të dy vendeve.

Shekulli Agency