Prohvatilov: Rusia dhe Turqia mund ta kapërcejnë situatën për Idlibin

Ekspertët rusë vlerësojnë se Turqia dhe Rusia mund të arrijnë një dakordim mbi çështjen e Idlibit për të cilin kohën e fundit janë rritur tensionet.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë zhvillohen në çdo fushë dhe çështja e Idlibit nuk mund të hedhë hije mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, theksojnë ekspertët rusë në një prononcim për Anadolu Agency lidhur me situatën në Idlib përpara takimit që do të zhvillojnë sot presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin.

Ekspertja në Akademinë diplomatike të Ministrisë së Jashtme ruse, Nina Komarevtseva tha se Rusia dhe Turqia janë në një kontakt të ngushtë. “Marrëdhëniet pozitive në zhvillim kohët e fundit mes dy vendeve, kontakti i vazhdueshëm mes liderëve siguron që të zhvillohen biseda telefonike kur është e nevojshme. Kjo është shumë e rëndësishme. Është një mjet për të shprehur mendimet e tyre, siguron mundësinë për të diskutuar interesat në kuptimin strategjik, është mjet për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme dhe për sigurimin e paqes”, tha ajo.

Sipas saj, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë po testohen sërish dhe se zgjidhja e çështjes së Idlibit është e varur nga dy vendet.

Komarevtseva tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e bisedimeve që do të zhvillohet sot mes presidentëve Erdogan dhe Putin. “Kjo bisedë është shumë e rëndësishme në mënyrë që liderët të shprehin pikëpamjet e tyre lidhur me situatën në Idlib. Dy liderët mund të gjejnë zgjidhje për çështjen e Idlibit pa dëmtuar marrëdhëniet. Ky takim mund të mos jetë takimi i fundit lidhur me çështjen e Idlibit”, tha ajo.

Komarevtseva thekson se Rusia dhe Turqia duhet të vazhdojnë kontaktet dhe dialogun në nivele të ndryshme.

– “Ekonomia peshon më shumë se çështja e Idlibit”

Eksperti i Qendrës kërkimore të qytetërimeve të vendeve lindore në Moskë, Andrey Chuprygin tha se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër. “Nëse në njërën anë të peshores vendosim çështjen e Idlibit dhe në anën tjetër marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, padyshim që ekonomia do të peshojë më shumë. Marrëdhëniet ekonomike, kulturore, politike, gjeopolitike mes dy vendeve janë më të rëndësishme se çështja e përkohshme e Idlibit”, tha Chuprygin.

Sipas tij, Rusia dhe Turqia janë dy vende fqinje që kanë nevojë për njëra tjetrën dhe se turizmi mes dy vendeve është një prej temave kryesore.

“Rusët më së shumti shkojnë në Turqi për pushime. Rusët preferojnë Turqinë për të kaluar pushimet. Kjo nuk duhet të pengohet. Rusët dëshirojnë të shkojnë në Turqi”, tha Chuprygin.

Ndërsa eksperti i Akademisë së Shkencave Ushtarake të Rusisë, Vladimir Prohvatilov tha se Rusia dhe Turqia mund ta kapërcejnë situatën për Idlibin. “Edhe pse interesat e dy vendeve nuk përputhen unë mendoj se Erdogan dhe Putin mund të gjejnë një pikë të përbashkët për çështjen e Idlibit”, tha Prohvatilov.

Shekulli Agency