NJIH VETVETEN DHE BËHU I LUMTUR

Ermal Bega

Para disa ditësh po shikoja një dokumentar në anglisht mbi jetën dhe “vdekjen” e një shkencëtari të njohur britanik, por që jetonte në Australi. Ai ishte David Goodall, një botanist dhe ekolog nga “bota e qytetëruar”, i cili më 10 Maj 2018, në moshën 104-vjeçare vendosi të vetëvritej, pasi sipas fjalëve të tij, ai tashmë nuk ishte më “i lumtur”, “nuk gjente kënaqësi nga kjo jetë” dhe pasi “i kishte ardhur në majë të hundës” kjo dunja, kishte vendosur të vetëvritej, bile shkoi në Zvicër (sepse Australia nuk e lejon eutanazinë), ku bëri një vetëvrasje të “ndershme” me bujë të madhe në shumë media botërore.

Zoti i Madhëruar, Krijuesi i çdo gjëje në këtë botë, dhënësi i jetës dhe Ai që ka të drejtë të vendosë për marrjen e jetës së dikujt, e ka krijuar krijesën e dobët njerëzore për të jetuar në mënyrën sa më të mirë në këtë jetë, për të qenë dhe për të jetuar i lumtur, dhe të vdesë i lumtur, duke i dhënë mundësinë njeriut për të njohur madhështinë e krijimit të vet. Sidomos, një botanik dhe shkencëtar i tillë i njohur, ka më shumë përparësi të njohë mrekullinë brenda vetes së vet.

Por, duket qartë që shkenca sot dhe shkencëtarët nga të cilët ne “presim” të na shpjegojnë mrekullitë në këtë botë dhe brenda nesh, vuajnë nga një boshllëk shumë i madh shpirtëror, të cilëve nuk u mundëson të kuptojnë qëllimin e vërtetë të krijimit në këtë botë materiale.

Ai që vendosi të vriste veten “me nder”, ishte shumë i shëndoshë fizikisht dhe mendërisht, edhe në atë moshë. Por, zbrazëtira shpirtërore brenda vetes së tij, nënkuptonte se ai nuk kishte arritur nga shkenca, që të kuptonte dhe vetë veten e vet se pse jetonte, çfarë qëllimi kishte në këtë botë dhe pse duhet të vdiste?!

Ai nuk ishte një njeri i thjeshtë dosido, por një shkencëtar me famë botërore në kohën tonë, nga “bota e qytetëruar perëndimore”, kishte shkruar bile shumë artikuj e libra, kishte marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare në të gjithë botën, por… i cili nuk kishte arritur dot të njihte vetveten dhe të gjente lumturinë në këtë botë.

Për këtë, profeti dhe njeriu më i mirë i krijuar në këtë botë të shkurtër materiale, Muhamedi (paqja qoftë mbi të), e ka këshilluar njerëzimin se: “Kush e njeh veten, e ka njohur Zotin (Krijuesin)!”

Ky boshllëk që e kemi brenda vetes si qenie njerëzore, duhet mbushur dhe plotësuar. Edhe nëse dikush nuk beson në një Zot apo Krijues të kësaj bote, për ta kuptuar më lehtë dhe më mirë qëllimin e jetës në këtë botë, të paktën duhet t’ia bëjë vetes pyetjen se “pse jetoj në këtë botë”?! Dhe përgjigjen mund ta kërkojë nga ana logjike dhe shkencore, por vetëm ta kërkojë dhe ta dijë. Sepse, nëse dikush nuk e njeh veten dhe qëllimin e ardhjes në këtë botë, pa dëshirën e vet, atëherë ai është i gatshëm të mendojë, ndjejë, flasë dhe veprojë vetëm keq dhe pa qëllim, kundër vetes dhe të tjerëve.

Si përfundim, vdekja e një shkencëtari të tillë si David Goodall, është një humbje e madhe për njerëzimin (si shkencëtar), por i vetmi që humb me të vërtetë në këtë rast është vetë ai, sepse nuk arriti ta njihte veten e tij!

Autori i shkrimit është drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (Acfos Albania), Tiranë.

Shekulli Agency