Tiranë, aktivitet mbi persekutimin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë komunizmit

Në Tiranë është mbajtur aktiviteti me temë “Persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë përgjatë regjimit komunist”, që kishte në fokus publikimin e të dhënave rreth persekutimit ndaj këtij komuniteti, raporton AA.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet tha se zona e Konispolit ka pasur persekutimet më të mëdha gjatë regjimit komunist.

“Është e pamundur sot sesi institucionet shqiptare akoma nuk kanë një dokument relevant për dënimin e atij sistemi, për ta dënuar sistemin komunist, një sistem i cili ishte i vendosur në Shqipëri në mënyrë jo të natyrshme, sepse na vinte pikërisht nga Rusia sovjetike e implementuar për të mbajtur pushtetin një diktator si Enver Hoxha. Ne asnjëherë nuk bëmë asnjë radiografi të sistemit komunist dhe të kuptonin sesi besimi në Zot e zëvendësuan me partinë dhe me Enver Hoxhën, sesi lufta e klasave ishte një mënyrë permanente për ta mbajtur në konflikt të gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Idrizi.

Ai u shpreh se mos ndarja nga e kaluara komuniste dhe mos dënimi i saj “ne na shoqëron vazhdimisht.”

Duke folur mbi persekutimin komunist ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Idrizi theksoi se “Të gjithë ne e kemi ndier diskriminimin, por kjo mundësi e artë që na jepet është për të kuptuar dhe vërtetuar sot atë që ne ndienim në shtëpitë tona, marxhinalizimin për të qenë shqiptar i Çamërisë, diskriminimin deri në kufijtë e racizmit për të qenë shqiptar i Çamërisë, sepse ne kishim vetëm një faj, na kishin larguar nga vendi jonë sepse ishim shqiptarë dhe për shkak të besimit në Zot”.

Sipas Idrizit, janë rreth 200 familje të shqiptarëve të Çamërisë të cilët janë ndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike nga regjimi komunist dhe dhjetëra personalitete të ekzekutuar.

Në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Patriotike Çamëria folën edhe studiues dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kanë në fokus studimet mbi të kaluarën komuniste në Shqipëri.

Sipas dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit komunist, të cilat tashmë janë të aksesueshme për publikun, qindra familje çame u përndjekën dhe persekutuan nga institucionet e regjimit komunist, ndërsa dhjetëra personalitete nga ky komunitet u ekzekutuan, me pretendimin si kundërshtarë të regjimit.

Çamëria është një krahinë e madhe gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit (Deti Jon). Në vitin 1913 me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi muslimane dhe ortodokse.

Përveç gjenocidit grek në Çamëri, që shkaktoi mijëra viktima dhe të shpërngulur, shqiptarët e Çamërisë përjetuan persekutim edhe pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë sistemit komunist në Shqipëri.

Shekulli Agency