SHBA qëndron pranë Turqisë pas sulmeve të regjimit sirian

SHBA ka shprehur solidaritet me Turqinë pas sulmit të regjimit sirian ndaj forcave turke në të cilin humbën jetën 8 persona dhe u plagosën disa të tjerë.

“Ne qëndrojmë pranë aleatit tonë të NATO-s, Turqisë, kundër këtyre veprimeve, i dërgojmë ngushëllime qeverisë turke për vdekjen e njerëzve të tyre dhe mbështesin plotësisht veprimet e justifikuara vetëmbrojtëse të Turqisë si përgjigje”, u shprehën nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke shtuar se po vijojnë konsultimet me qeverinë turke në lidhje me këtë çështje.

Sulmet vdekjeprurëse në provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë martirizuan 7 ushtarë turq dhe një kontraktues civil që punonte me ushtrinë turke. Sipas ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, 13 persona të tjerë u plagosën, por janë në gjendje të mirë.

Akar gjithashtu tha se Turqia në shenjë hakmarrjeje ka goditur mbi 50 shënjestra dhe ka vrarë 76 ushtarë sirianë.

Provinca e Idlibit, e cila ndodhet në veriperëndim të Sirisë, është bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura antiqeveritare që nga shpërthimi i luftës civile në vitin 2011.

Aktualisht në të banojnë rreth katër milionë civilë, duke përfshirë qindra mijëra persona të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit 2018 u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.

Në një veprim të fundit, Turqia më 10 janar njoftoi një armëpushim të ri në Idlib që do të fillonte pas mesnatës më 12 janar. Megjithatë, regjimi dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani vazhduan sulmet tokësore.

“Veprimet destabilizuese të Rusisë, regjimit iranian, Hezbollahut dhe regjimit të Asadit po pengojnë vendosjen e një armëpushimi mbarëkombëtar në Siri siç kërkohet në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit to OKB-së dhe kthimin e sigurt të qindra mijëra personave të zhvendosur në veri të Sirisë në shtëpitë e tyre”, thonë nga Departamenti i Shtetit, duke iu referuar rezolutës ku bëhet thirrje për një armëpushim në Siri dhe një zgjidhje politike të konfliktit.

“SHBA do të ushtrojnë të gjitha fuqitë për të bllokuar çdo riintegrim të regjimit të Asadit në bashkësinë ndërkombëtare derisa ai të jetë në përputhje me të gjitha dispozitat e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë një armëpushim mbarëkombëtar që përfshin Idlibin”, thonë gjithashtu nga Departamenti i Shtetit.

Shekulli Agency