“Objektivi kryesor i parlamentit është hapja e negociatave”

Në fjalën e tij në hapje të sesionit, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se objektivi kryesor i Kuvendit për këtë vit është hapja e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

“Objektivi ynë kryesor për vitin 2020 do të jetë çelja e negociatave, rritja e rolit të Kuvendit në rolin e integrimit, me qëllim që të ketë mekanizëm më të mirë për të mbikëqyrur punën e qeverisë. Do të rrisim partneritetin me shoqërinë civile. Duam të sjellim sjellje elektorale dinjitoze dhe perëndimore. Kuvendi i Shqipërisë do të kontribuojë që sistemi i drejtësisë të mos jetë në shërbim të pasurimit të një kaste, por në zhvillim të vendit dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarët”, theksoi Ruçi.

Ai tha se gjatë sesionit të ri do të miratohen ligje të reja për të harmonizuar legjislacionin për problemet natyrore sipas kodeve evropiane.

“Legjislacioni do të parashikojë ligje më të ashpra për ndërtimet. Do të kemi miratim të ligjeve më të mira sipas parlamentit gjerman e atij zviceran”, deklaroi Ruçi.

Sipas kryeparlamentarit Ruçi, reforma zgjedhore do të bëhet realitet brenda datës 15 mars 2020.

“Siç jeni në dijeni, se të gjithë faktorët politikë, që reforma të bëhet gati brenda 15 marsit 2020 dhe më pas të vazhdojë rrugën në Kuvend. Platforma online në faqen e Kuvendit ndikon drejtpërdrejtë mbi ekzekutivin shqiptar”, theksoi Ruçi.

Kuvendi i Shqipërisë i zhvillon punimet e tij vjetore në dy sesione dhe e organizon veprimtarinë e tij nëpërmjet një akti normativ, që është rregullorja e Kuvendit.

Shekulli Agency