A do të vazhdojë Putini në politikë pas vitit 2024?

Pas propozimit të papritur të presidentit rus Vladimir Putin për ndryshime kushtetuese të mërkurën, ekspertët sugjerojnë se Putin ka ambicie të mëtejshme për qeverisje në Rusi edhe pas mbarimit të mandatit të tij në vitin 2024.

Gjatë fjalimit të tij vjetor në Asamblenë Federale, të përbërë nga dy dhomat legjislative të vendit, Putin u zotua për ndryshime kushtetuese duke e vendosur atë në votim të përgjithshëm.

Qeveria dha dorëheqjen pasi Putin propozoi ndryshimet dhe tha se ai kishte nevojë “për organizimin e punës”.

Presidenti rus pranoi dorëheqjet dhe i kërkoi kryeministrit Dmitry Medvedev të merrte një rol të ri si zëvendës i Këshillit të Sigurisë së vendit.

Në përgjigje të thirrjes së Putinit, Medvedev tha se do të ishte e drejtë që qeveria të jepte dorëheqjen “për t’i mundësuar presidentit të marrë të gjitha vendimet e nevojshme”.

Sistemi i ri i jep parlamentit, Dumës ruse, të drejtën për të zgjedhur kryeministrin dhe kabinetin, ndërsa aktualisht, kryeministri emërohet nga presidenti.

“Medvedev duke shërbyer si kryeministër dhe Putin që shërben si president kanë disa kufizime kushtetuese”, ka thënë për Anadolu Agency (AA) profesori Oktay Tanrısever i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme.

“Por pasi që ai të krijojë një sistem të ri, sistem me një afat të ri kohor, ai mund të vazhdojë të udhëheqë Rusinë duke akomoduar interesa të ndryshme në një mjedis të ndryshëm institucional realisht pa dëmtuar udhëheqjen e tij në vend”, tha ai.

Sipas Tanrısever, qëllimi kryesor i Putinit është të ruajë aleancat e pushtetit për një kohë më të gjatë me këtë ndryshim të propozuar.

Mesut Hakkı Caşın, profesor i drejtësisë në Universitetin Yeditepe, gjithashtu sugjeroi që Putin dëshiron të vazhdojë trashëgiminë e tij politike sipas një kushtetute të re.

“Ndryshimi i propozuar sugjeroi rritjen e rolit dhe fuqisë së kryeministrit. Kështu që, unë mendoj, Putin do të vazhdojë si kryeministër ndërsa Medvedev merr postin presidencial pas vitit 2024″, tha Caşın.

Caşın tha se opinioni rus do t’i aprovojë këto ndryshime në një referendum, sepse ata duan të vazhdojnë me Putinin në të ardhmen.

“Tensionet me Perëndimin krijuan një nacionalizëm të ri rus. Unë shoh që prirja ndaj Putinit është e lartë sidomos tek të rinjtë”, shtoi ai.

“Ngjashëm me sistemin sovjetik”

Edhe pse Tanrısever dhe Caşın e shohin këtë veprim si dëshira e Putinit për të vazhduar ndikimin e tij politik në Rusi, ata e shohin pozicionin e kryeministrit ndryshe.

Tanrısever tha se kryeministri në sistemin e ri do të ketë një rol teknik dhe jo politik.

“Pra, Këshilli i Ministrave do të merret me çështje teknike. Vendimet kryesore do të vendosen nga Këshilli i Sigurimit dhe presidenti”, tha Tanrısever.

“Unë mendoj se i gjithë sistemi institucional duket si sistemi sovjetik. Në sistemin sovjetik, pozicioni i kryeministrit nuk ishte politik. Ishte ekonomik. Kryeministrat merreshin me çështje financiare, çështje të zhvillimit ekonomik, pra, ata nuk kishin asnjë rol të sigurisë ose politikës në sistem”, shtoi ai.

“Presidenti do të krijojë këtë Këshill të Sigurimit si politbyronë kryesore dhe në këtë mënyrë, ai do të ketë një infrastrukturë të ngjashme si sistemi sovjetik. Askush nuk do të mendojë se kryeministri ka ndonjë rol ekzekutiv politik”, theksoi Tanrısever.

Megjithatë, Tanrısever tha se Putin nuk po e ringjall Bashkimin Sovjetik, por do të sjellë një sistem që dikur funksiononte në Rusi.

“Është më shumë për depolitizimin e shtetit rus. Pra, Këshilli i Ministrave do të merret me çështje teknike, vendimet kryesore do të vendosen nga Këshilli i Sigurimit”.

Kritika nga perëndimi

“Unë mendoj se qëllimi i tij (Putin) është të krijojë një kornizë e cila do t’i mundësojë Rusisë të integrojë vende si Bjellorusia dhe ndoshta disa vende të tjera të mundshme në këtë sistem”, tha Tanrısever, duke shtuar se edhe pse Perëndimi ndoshta kritikon lëvizjet e Putinit duke e konsideruar atë “jo të mirë për promovimin e demokracisë në Rusi”, kritika e vërtetë do të vijë kur Rusia “të vendosë të zgjerojë këtë kornizë institucionale në vendet fqinje”.

“Ky është rreziku i vërtetë. Unë mendoj se vendet duhet të shikojnë përpjekjet e Rusisë për të riintegruar disa nga këto vende post-sovjetike në sistemin e tyre”, tha ai.

Anadolu Agency

Shekulli Agency