Erdogan: Turqia u ftua nga qeveria legjitime e Libisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erodğan, akuzoi disa vende evropiane dhe arabe për përkrahjen ndaj komandantit puçist me bazë në Libinë Lindore, Khalifa Haftar, dhe tha se Turqia është ftuar nga qeveria legjitime e Libisë.

Këto komente Erodğan i bëri në një takim të krerëve të provincave të Turqisë në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në kryeqytetin turk Ankara.

Turqia do t’ia japë të gjitha llojet e mbështetjes qeverisë së Tripolit që po lufton Haftarin, tha presidenti Erdoğan.

“Ata po ndihmojnë një baron lufte, kurse ne po i përgjigjemi ftesës së qeverisë legjitime të Libisë. Ky është dallimi”, shtoi Erdoğan.

Në lidhje me marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak midis Turqisë dhe Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të nënshkruar më 27 nëntor, Erdoğan tha se mocioni për dërgimin e trupave në Libi do të vendoset në rend dite në parlamentin turk sapo ky institucion të hapet pas pushimit.

“Ne kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit dhe po përmbyllim Marrëveshjen e Sigurisë dhe Bashkëpunimit Ushtarak. Shpresoj se do ta ratifikojmë atë në parlamentin tonë më 8 ose 9 janar, dhe kështu do t’i përgjigjemi ftesës (së Libisë)”, deklaroi ai.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe GNA me bazë në Tripoli nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra për bashkëpunimin ushtarak dhe tjetra për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në Libinë lindore, me të cilën është i lidhur Haftar dhe mbështetet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe GNA në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

– Siria

Në fjalën e tij, Erdoğan tha se një sipërfaqe totale prej 8.200 kilometrash katrorë janë pastruar nga elementet terroriste përmes ofensivave antiterroriste të Turqisë.

Turqia në tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” kundër organizatave terroriste YPG/PKK dhe DEASH në veri të Sirisë, pasi më herët kishte realizuar dy operacione të ngjashme të suksesshme në këtë rajon, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.

Ndërkaq, duke folur për situatën e fundit në Idlib, ai theksoi se sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit e bëjnë të pamundur vendosjen e armëpushimit permanent.

“Afër 100.000 njerëz të ikur nga sulmet kanë lëvizur drejt kufirit tonë”, tha Erdoğan, duke iu referuar civilëve të cilët po braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e bombardimeve të fundit intensive të regjimit dhe mbështetësve të tij.

Ndryshe, popullata në pjesën jugore të provincës së Idlibit filloi të zhvendoset drejt linjës kufitare me Turqinë që kur regjimi sirian dhe mbështetësit e tij i filluan sulmet në nëntor dhe nisën një operacion më 20 dhjetor.

Forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes e cila u nënshkrua mes Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator 2018 në qytetin rus Soçi. Që nga ajo datë, në sulmet e regjimit dhe Rusisë kanë humbur jetën mbi 1.300 civilë.

Shekulli Agency