Erdogan: Jemi të vendosur për të hapur faqe të re në raportet me SHBA-në

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij është i gatshëm të hapë një faqe të re me SHBA-në në përputhje me frymën e aleancës, raporton AA.

“Jemi të një mendimi për sa i përket avancimit të marrëdhënieve Turqi-SHBA mbi një bazament të fuqishëm dhe thellimit të bashkëpunimit”, tha Erdoğan në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologun amerikan Donald Trump.

Erdoğan theksoi se së bashku me Trump, kanë konfirmuar vullnetin reciprok për luftë kundër subjekteve terroriste që kërcënojnë sigurinë e tyre kombëtare.

“Turqia dhe SHBA mund të punojnë së bashku për t’i dhënë fund në tërësi DEASH-it dhe për të sjellë paqe dhe stabilitet në Siri”, deklaroi presidenti turk, duke shtuar se me operacionin “Burimi i Paqes”, Turqia i dha goditje të rëndë agjendës separatiste të PKK/YPG-së në Siri.

“Turqia është aleati i vetëm i NATO-s që ka luftuar ballë për ballë me DEASH-in dhe ka dhënë dëshmor për këtë qëllim”, theksoi më tej Erdoğan.

Duke folur për marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve, Erdoğan tha se çështjet politike dhe tregtare nuk duhet ngatërruar.

“Ministrat tanë po punojnë për synimin për tregti prej 100 miliardë dollarësh”, shtoi presidenti turk.

“Turqia nuk ka probleme me vëllezërit kurdë, por me organizatat terroriste”

Erdoğan përsëriti nevojën që të bëhet dallim midis kurdëve dhe organiztës terroriste PKK dhe degës së saj siriane YPG/PYD.

“Duhet të bëjmë dallimin. Turqia nuk ka asnjë problem me kurdët, por me organizatat terroriste… Aktualisht, në parlament, partia ime ka 50 deputetë kurdë. Ne nuk kemi problem me kurdët…Ashtu siç marrëdhëniet me kurdët në veri të Irakut janë mjaft të mira, po ashtu nuk kemi probleme me vëllezërit kurdë në veri të Sirisë”, deklaroi presidenti i Turqisë.

“Terroristi nuk mund të ketë racë, komb, fe dhe atdhe. Ai është terrorist. Nëse nuk e luftoni, nesër do të paguani rëndë”, shtoi ai.

Erdoğan po ashtu kiritkoi trajtimin që SHBA ka shfaqur për kreun e organizatës terroriste YPG/PKK, Ferhat Abdi Şahin, të njohur me emrin e koduar Mazloum Kobani.

“E kam pritur me pikëllim faktin që presidenti i një shteti si SHBA e ka konsideruar si palë bashkëbiseduese terroristin e quajtur Ferhat Abdi Şahin”, potencoi ai.

“Prezantova dokumentin e CIA-s që tregon se Mazloum Kobani është terrorist. CIA ka dokumentuar se ai është terrorist”, shtoi presidenti Erdoğan. 

“FETO, organizatë terroriste që tentoi të prishë rendin kushtetues në Turqi”

Në lidhje me organizatën terroriste FETO, Erdoğan shprehu pritshmëritë e Turqisë për t’i dhënë fund pranisë së kësaj organizate në SHBA.

“FETO është organizatë terroriste që përmes një puçi të dështuar tentoi të zhdukë rendin kushtetues në Turqi”, vuri në dukje Erdoğan, duke shtuar se gjatë këtij udhëtimi në SHBA kanë prezantuar dokumente të shumta në lidhje me ekstradimin e kreut të këtij grupi terrorist, Fetullah Gülen.

“Uroj që si rezultat i dokumenteve, ashtu sikurse ne i dorëzojmë terroristët kur kërkohen, edhe ata të na i japin neve”, shtoi Erdoğan.

Presidenti turk Erdoğan tha se ia ka kthyer homologut amerikan Trump letrën që i kishte dërguar lidhur me Sirinë.

“Çështja S-400 të zgjidhet përmes dialogut”

Ndërkaq, lidhur me sistemin raketor rus S-400 dhe programin e avionit luftarak F-35, Erdoğan deklaroi se sprovat me të cilat ballafaqohen në këtë drejtim mund të tejkalohen përmes dialogut.

Ai shtoi se Turqia ende është e gatshme të blejë sistemin amerikan Patriot nëse ofrohen kushtet e përshtatshme. 

Pretendimet armene

Presidenti i Turqisë adresoi edhe pretendimet armene për ngjarjet e vitit 1915, duke thënë së Turqia mbështet një dialog dhe debat të hapur në këtë aspekt.

“Ne jemi faqebardhë në këtë çështje dhe kemi vetëbesim të plotë”, tha Erdoğan.

Ai tha se ende është vlefshëm propozimi i Ankarasë për palën armene për formimin e një komisioni të përbashkët historik, duke theksuar se vendi i tij i mban të hapura arkivat për të hulumtuar ngjarjet.

“Unë deklarova se vendimet e marra më 29 tetor në Dhomën e Përfaqësuesve lëndojnë popullin turk dhe kanë qëllim të hedhin hije mbi raportet tona”, tha presidenti Erdoğan, duke iu referuar një rezolute të miratuar në SHBA për njohjen e të ashtuquajturit “genocid armen”.

Shekulli Agency