A po e humb Irani ndikimin në Irakun e trazuar nga protestat?

Që nga rënia e regjimit të Saddam Husseinit pas pushtimit të SHBA-së në vitin 2003, ndikimi i Iranit në Irak është rritur në mënyrë eksponenciale. Megjithatë, protestat aktuale popullore në vendin arab kanë nxjerrë në pah dëshirën për shpëtim nga kjo gjendje dhe ndryshime.

Përderisa protestuesit irakianë dolën në rrugë për të kërkuar kushte më të mira të jetesës, ndjenjat kundër rolit të Iranit u manifestuan qartë në një sulm ndaj konsullatës iraniane në qytetin e shenjtë shiit Qerbela.

Demonstruesit e konsiderojnë ndikimin e Iranit në epokën e pas-Sadamit si një nga kontribuesit kryesorë të kushteve të dobëta të jetesës.

Të dielën, demonstruesit e revoltuar sulmuan konsullatën në qytetin jugor, duke rrëzuar flamurin iranian dhe duke e zëvendësuar atë me flamurin e Irakut.

Tre persona u vranë dhe 12 të tjerë, përfshirë personelin e sigurisë, u plagosën në sulm, njoftoi Komisioni i Lartë i Irakut për të Drejtat e Njeriut (IHCHR).

Protestuesit gjithashtu grisën posterin e madh të klerikut të ndjerë iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, në qytetin jugor al-Diwaniyah. Posterët ishin vendosur në banderola të mëdha në rrugët kryesore të qytetit.

Khomeini ishte udhëheqësi i revolucionit iranian në vitin 1979.

Të paktën 260 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në valën e dytë të protestave në Irak që nga java e kaluar kundër korrupsionit të theksuar, papunësisë dhe mungesës së shërbimeve themelore.

Më shumë se 230 persona u vranë në valën e parë të protestave antiqeveritare në tetor.

– Ndërhyrja e Iranit

Duke folur për Anadolu Agency (AA) analisti dhe këshilltari politik, Ali Bakeer tha se situata në Irak është ndezur për shkak të “ndërhyrjes së ashpër dhe të drejtpërdrejt të Iranit për nxitje kundër demonstratave dhe protestuesve”.

Ai tha se protestuesit akuzohen për “tradhti dhe se janë agjentë të SHBA-së, Izraelit dhe sionistëve”.

“Kjo ishte si t’i hedhësh benzin zjarrit”, tha Bakeer.

Muajin e kaluar, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei përshkroi protestat antiqeveritare në Irak si “komplot” të nxitur nga “armiqtë” për të ngulitur një pykë midis Teheranit dhe Bagdadit.

Sipas Bakeer, dhuna dhe “vrasjet e qëllimshme” të protestuesve nga forcat irakiane të sigurisë në Qerbela ishte “së pari një hakmarrje” për protestat e tyre dhe “një përpjekje për t’i ndaluar ato”.

Megjithatë, ai përjashtoi mundësinë që dhuna mund të degradojë situatën.

Përkundrazi, ajo dëshmoi se ka çuar në “rezultate më të mëdha katastrofike”, tha ai.

“Është e qartë se shumica shiite, të cilët nuk janë të lidhur me Iranin, e sheh ndërhyrjen iraniane si burim të problemeve të tyre në Irak”, tha Bakeer.

Ai konsideron se demonstratat kundër Iranit ishin një reagim ndaj “ndikimit dhe kontrollit të madh të Teheranit mbi politikën dhe sigurinë e Irakut si dhe dobësimit të ekonomisë”.

Mediat irakiane raportojnë se komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani ka mbërritur në Irak në një përpjekje për të shtypur protestat.

“Përhapja e lajmeve për ardhjen e Soleimanit në Irak për të shtypur protestuesit e ka ndezur situatën edhe më shumë”, tha Bakeer.

“Unë nuk mendoj se shpëtimi i Irakut nga Irani është edhe aq i lehtë”, tha eksperti politik, “Megjithatë, kjo në masë të madhe varet nga suksesi i protestuesve për arritjen e kërkesave të tyre dhe krijimin e një Iraku të lirë”.

– Zgjimi shiit

Shaho Al-Qaradaghi, këshilltar i Qendrës “Iraku i Ri”, tha se Irani ka konsoliduar ndikimin e tij në Irak përmes mbështetjes së partive politike dhe milicive sektare në vend.

“Irani ka përsëritur vazhdimisht kontrollin e tij mbi Irakun duke iu referuar Bagdadit si pjesë e perandorisë iraniane”, tha ai.

Sipas tij, “populli irakian, veçanërisht shiitët, më në fund e kanë kuptuar se ndërhyrja iraniane ka një ndikim negativ në kushtet e tyre ekonomike dhe politike të jetesës”.

“Mungesa e sigurisë, stabilitetit dhe shërbimeve në Irak bie mbi supet e Iranit për shkak të mbështetjes së saj për partitë aktuale politike”, tha al-Qaradaghi.

Ai është i mendimit se sulmi ndaj Konsullatës iraniane në Qerbela ishte “një mesazh i qartë nga shiitët se populli nuk e mirëpret më praninë iraniane në Irak, apo të pranojnë që të merret me Irakun si një vend i dobët që i nënshtrohet ndikimit iranian”.

Al-Qaradaghi përjashtoi mundësinë se protestat në vazhdim do të çojnë në përfundimin e ndikimit të Iranit në Irak.

“Kjo nuk parandalon shfaqjen (e mundshme) të fytyrave të reja që mund të përpiqen të ribalancojnë situatën politike në Irak nëse shiitët vazhdojnë me protestat për shkak se ata janë në gjendje të bëjnë ndryshime, madje edhe gradual”, tha ai.

Revolta popullore doli në sipërfaqe pas acararimit në Irak vitet e fundit për shkak të rritjes së papunësisë dhe korrupsionit të shfrenuar. Shumë njerëz në vend kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore siç janë energjia elektrike dhe uji i pastër.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve në Irak është rreth 25 për qind. Iraku është radhitur i 12-të, ndër vendet më të korruptuara në botë nga disa organizata të transparencës.

Shekulli Agency