Zoran Zaev takon liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka pritur në një takim në ndërtesën e qeverisë Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje e cila fitoi më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.

Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, në takimin e dy delegacioneve të udhëhequra nga Zaev dhe Kurti u riafirmuan marrëdhëniet “jashtëzakonisht të mira” midis dy vendeve dhe u diskutua bashkëpunimi i mundshëm i ardhshëm, që sipas qeverisë, ka potencial të fuqishëm për t’i përforcuar lidhjet dypalëshe në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Gjatë takimit u identifikuan projektet prioritare për lidhjen infrastrukturore, ndër të cilat përveç autostradës Shkup-Bllacë, u mirëpritën edhe lidhjet rrugore midis Tetovës dhe Prizrenit, si dhe kompletimi i kapaciteteve të pikës së kalimit kufitar Jazhincë, të cilat në masë të madhe do të lehtësojnë komunikimin e qytetarëve dhe nismat e biznesit midis qyteteve të pjesës perëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit jugperëndimor të Kosovës”, theksohet në njoftim.

Më tej, thuhet se në takimin Zaev-Kurti po ashtu u theksua se ruajtja e marrëdhënieve të mira dhe iniciativat e reja për bashkëpunim midis dy vendeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe për çdo vend të rajonit në veçanti nga aspekti i aspiratave të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë grumbulloi më shumë vota, ndërkohë është në bisedime për formimin e qeverisë së re me partinë e dytë me më shumë vota, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Shekulli Agency