Diga e Nilit nxit frikën e “luftës për ujë” mes Egjiptit dhe Etiopisë

Një mosmarrëveshje mes Egjiptit dhe Etiopisë për një digë në rrjedhën e lumit Nil është përshkallëzuar në “luftë fjalësh” për ujërat e hidrocentraleve.

Etiopia po ndërton një digë me vlerë prej 4 miliardë dollarësh në Nilin e Kaltër, një degë e lumit Nil, në afërsi të kufirit me Sudaniin, duke thënë se projekti është i nevojshëm për të furnizuar vendin me energjinë e nevojshme elektrike.

Egjipti ka frikë se kjo digë mund të ndërpresë rrjedhën e lumit Nil, nga i cili varet për 90 për qind të furnizimit me ujë.

Negociatat që disa muaj zhvillohen mes dy shteteve kanë dështuar të arrijnë ndonjë përparim, duke nxitur frikën e një konflikti ushtarak midis Kajros dhe Addis Ababa-s.

Javën e kaluar, kryeministri fitues i Çmimit Nobel për paqe i Etiopisë, Abiy Ahmed, tha se “asnjë forcë nuk mund të ndalojë Etiopinë” në ndërtimin e digës.

Egjipti u kundërpërgjigj se është “i shokuar” nga këto deklarata, ndërsa në mediat lokale bëhet thirrje për fillimin e luftës për të ndaluar Etiopinë në ndërtimin e digës.

Pas kësaj, Abiy dhe presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi, biseduan për projektin e digës kontroverse në margjinat e samitit Rusi-Afrikë që u mbajt javën e kaluar në qytetin Soçi të Rusisë.

Ministrat e jashtëm të Egjiptit, Etiopisë dhe Sudanit, javën e ardhshme do të mbajnë një raund të ri të bisedimeve në Washington me ftesë të administratës amerikane, në përpjekje për të zgjidhur kontestin.

William Davison, një analist i lartë i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), beson se tensioni aktual nuk do të çojë në një konflikt ushtarak mes Egjiptit dhe Etiopisë.

Duke folur për AA, Davison tha se periudha e mbushjes së digës dhe funksionimi i saj janë thelbi i kontestit mes dy shteteve.

“Nuk mendoj se kriza aktuale ndërlidhet me ndonjë konflikt tjetër rajonal”, tha ai.

Analisti nga ICG beson se dy shtetet akoma kanë mundësi të zgjidhin krizën nëpërmjet bisedimeve.

“Dy shtetet akoma duhet të pajtohen për çështjet teknike të periudhës së mbushjes së digës dhe funksionimit të saj në mënyrë që të dihet ndikimi i strukturës (ndaj pjesës së lumit Nil në Egjipt)”, tha ai.

Ndërmjetësimi

Një diplomat sudanez tha se kryeministri Abdullah Hamdok po përgatitet të ndërmjetësojë mes Egjiptit dhe Etiopisë në një përpjekje për të zbutur situatën.

“Sudani mund të luajë një rol kryesor në ndërmjetësimin midis dy vendeve”, tha diplomati duke folur në kushte anonimiteti.

“Sudani ka një interes të fuqishëm për të zgjidhur çështjen e digës në mënyrë paqësore”, shtoi ai.

Sudani, një shtet në rrjedhën e poshtme të lumit, ka marrë pjesë në disa raunde të bisedimeve teknike në të cilat nuk u arrit ndonjë rezultat.

Asma Alhusseini, një eksperte egjiptiane për çështje afrikane, beson se kontesti për digën akoma mund të zgjidhet përmes bisedimeve.

“Nuk ka rrugë tjetër për dy shtetet përpos se të bisedojnë për të zgjidhur kontestin përmes mjeteve paqësore”, tha ajo.

“Kontesti nuk është edhe aq i madh dhe ndërlidhet vetëm me periudhën e mbushjes dhe funksionalizimit të digës dhe dy palët akoma mund të arrijnë marrëveshje në lidhje me këtë”, vlerëson ajo.

Alhusseini paralajmëron për “rezultate katastrofale” nëse kontesti mes Egjiptit dhe Etiopisë për digën e lumit Nil shndërrohet në një konflikt ushtarak.

“Përshkallëzimi do të çojë në rezultate katastrofale për sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, tha ajo, duke shtuar se dy shtetet duhet të zgjidhin krizën në mënyrë paqësore dhe të japin shembull se si zgjidhen konfliktet në kontinentin afrikan.

“Dy shtetet kanë shumë kriza politike, ekonomike dhe sociale dhe kanë nevojë të fokusohen në zhvillimin dhe bashkëpunimin për sa i përket çështjes së ujit për të ndihmuar në hapjen e derës për bashkëpunim më të gjerë”, tha Alhusseini.

Partneriteti

Eksperti sudanez i ujit, Ahmed Almufti, mendon se Etiopia dëshiron të kontrollojë tërë rrjedhën e ujit në lumin Nil.

Duke folur për AA, Almufti u bën thirrje Kajros dhe Khartoumit që të tërhiqnin “deklaratën e principeve” të vitit 2015, e cila ka për qëllim të shërbejë si bazë për negociatat e digës kontroverse.

“Rruga e vetme për Egjiptin dhe Sudanin është të tërheqin deklaratën dhe të rinegociojnë të gjitha çështjet që ndërlidhen me digën”, tha Almufti, ish-sekretar i përgjithshëm i Iniciativës së Pellgut të Nilit (Nile Basin Initiative).

Eksperti beson se ndërmjetësimi rus dhe amerikan nuk do të zgjidhë kontestin për digën mes Egjiptit dhe Etiopisë.

“Gjëja më e mirë që amerikanët dhe rusët mund të arrijnë është të bindin Etiopinë që të zgjasë periudhën e mbushjes së digës në shtatë vite, që gjithashtu është një humbje e madhe për Egjiptin dhe Sudanin”, tha ai.

“Etiopia ka arritur të kufizojë kërkesat egjiptiane dhe sudaneze vetëm në periudhën e mbushjes së digës, duke braktisur të drejtat e tyre të tjera të ujit”, tha ai.

“Zgjidhja e vetme për dy shtetet është që të tërhiqen nga deklarata e vitit 2015”, beson Almufti.

Në një raport, ICG thotë se zgjidhja stabile e krizës së digës është nëpërmjet partneritetit në zhvillim mes Etiopisë, Egjiptit dhe Sudanit.

“Krijimi i një marrëveshjeje fillestare për mbushjen e digës mund të rrisë besimin mes palëve, gjë që është më e rëndësishmja, duke pasur parasysh kërcënimin që shfaqet nga rritja e temperaturave në pellgun e Nilit”, ka thënë ICG.

“Në afat të gjatë, ICG mbështet idenë që tri shtetet, bashkë me tetë shtetet e tjera që ndajnë ujërat e lumit Nil, të krijojnë një marrëveshje më të gjerë të ndarjes së resurseve nëpërmjet Komisionit për Pellgun e Nilit i cili do të formohet pasi gjashtë nga njëmbëdhjetë kombet të ratifikojnë Marrëveshjen Kornizë të Bashkëpunimit (CFA)”, thuhet në raportin e ICG-së.

ICG thekson se sfida fillestare qëndron në pozitën e tri shteteve për sa i përket mbushjes së rezervuarit të digës.

“Etiopia dëshiron të veprojë shpejt për të përshpejtuar prodhimin maksimal të energjisë. Egjipti është i shqetësuar për mënyrën se si do të menaxhohet diga gjatë viteve të thatësirës dhe dëshiron që GERD (Diga e Madhe e Rilindjes Etiopiane) të mbushet ngadalë aq sa një vëllim i mjaftueshëm i ujit të mund të rrjedhë mëtej çdo vit gjatë mbushjes. Egjipti gjithashtu thotë se dëshiron një zyrë në GERD me të punësuar me teknikë të tij”, thuhet në raportin e ICG-së.

Shekulli Agency