Mendime të ndara rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare

preshev-111

Të gjithë pajtohen se shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë nevojë për avancim të të drejtave kolektive të tyre, por disa kontestojnë mënyrën me të cilën synohet ky avancim, ndërkohë që për disa, vendimi është i vonuar.

 

Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës me të cilën synohet parimi i reciprocitetit për të drejtat që i gëzojnë serbët në veri të Kosovës, ka hasur në mendime të ndara te shqiptarët në Preshevë.

Të gjithë pajtohen se shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë nevojë për avancim të të drejtave kolektive të tyre, por disa kontestojnë mënyrën me të cilën synohet ky avancim, ndërkohë që për disa, vendimi është i vonuar pasi është dashur të miratohet qysh më herët.

Analisti politik nga Presheva, Belgzim Kamberi, duke i komentuar zhvillimet e fundit, për Anadolu Agency thotë se vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave nuk paraqet asgjë tjetër përveç se një kërkesë e përpiluar nga një pjesë e spektrit politik të cilën e quan një kopje e keqe e formimit të “Zajednicës” serbe në Kosovë.

“Mendoj se nuk mund të flitet për themelim të asociacionit por vetëm si kërkesë e cila është një kopje e keqe e formimit të ‘Zajednicës’ serbe në Kosovë, pasi ky asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe as rol ekzekutiv. Është kërkesë e një spektri politik shqiptarë këtu, e cila nuk do të jap rezultate pasi nuk mund të zbatohet. Është e pakuptimtë të ndërtohet reciprociteti mes Kosovës dhe Serbisë në kësi forma të cilat nuk mund të japin rezultate”, thotë Kamberi, sipas të cilit asociacioni mund të jetësohet vetëm nëse bëhen ndryshime kushtetuese në Serbi.

“Zbatimi fillimisht duhet të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, legjislacionit të Serbisë e cila duhet ta pranojë, që nuk është rast këtu. Kjo nuk e ka mbështetjen e Brukselit dhe faktorit ndërkombëtarë, pra nuk mund të flitet për dika siç është ‘Zajednica’ në Kosovë. Kjo synon të shpërqendrojë vëmendjen nga Zajednica në Kosovë e cila po bëhet realitet”, tha Kamberi.

Qytetarët nga ana e tyre mirëpresin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës, edhe pse disa nga ishin në dijeni se çka përmban ky dokument:

“Është mirë të realizohen të drejtat tona ashtu si po realizohen në Kosovë të drejtat e serbëve. Nëse ata kanë të drejtë për ndarje, të kemi edhe ne të drejtë për ndarje” tha Ahmet Rexhepi.

“Është tepër i vonuar dhe është dashur të bëhet shumë më herët. Ne jetojmë në territorin e Serbisë shumë të shtypur pa asnjë të drejtë, megjithëse në Kosovë serbët i gëzojnë të gjitha të drejtat. Ne mbajmë njëri-tjetrin sepse të ardhura nga Serbia nuk kemi fare”, tha Ramiz Aliu.

Të shtunën, në këshillin komunal të Preshevës, u votua themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës. Përpiluesit e dokumentit thanë se janë bazuar në vendimet e deritanishme të bisedimeve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Brukselit në të cilin janë anashkaluar në tërësi problemet e shqiptarëve të Luginës, ku nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre legjitime mbi të drejtat kolektive dhe individuale.(AA)

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.