Shqipëri, PD zyrtarizon djegien e mandateve, anulohet seanca e Kuvendit

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) pasditen e sotme zyrtarizoi me vendim të Këshillit Kombëtar të PD-së djegien e mandateve të deputetëve, ndërsa Kuvend i Shqipërisë anuloi zhvillimin e seancës plenare për ditën e nesërme.

Vendimin për anulimin e seancës plenare e bëri të ditur në një deklaratë për mediat kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili tha se ka ndjekur nga afër dhe me preokupim maksimal situatën dhe zhvillimet politike në vend.

“Po ndjek me vëmendje e shqetësim veprimet politike të kolegëve të opozitës pas protestës dhe vendimin e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për ‘djegie të mandateve parlamentare’. Po ndjek me vëmendje dhe përgjegjësi të lartë vendimin dhe përgatitjet e opozitës për protestën e datës 21 shkurt, pranë sallës së seancave të Kuvendit. Ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, deklaroi Ruçi

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u vendos në mënyrë unanime djegia e mandateve parlamentare, tha se “Përmes këtij vendimi të vështirë dhe të paprecedentë ne synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlerat evropiane”.

“Ne e hedhim këtë hap pasi kemi shteruar çdo mundësi tjetër për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve të mbetura apo për të ringritur ato që janë shkatërruar”, deklaroi Basha.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, edhe në rastin kur ai heq dorë nga mandati, ose kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Në rast se mandatet do të shpallen zyrtarisht të pavlefshëm, sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.

Në këtë rast, bëhet fjalë për një vendim politik, ndërsa në vazhdim institucionet, konkretisht Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosin se si do të realizohet procedura për plotësimin e vakancës së deputetëve.

Në lidhje me vendimin e PD-së, ka reaguar Misioni i OSBE-së në Shqipëri, ku në një deklaratë zyrtar thekson se “Vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen”.

Kujtojmë se partitë opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI), kanë paralajmëruar se do të mbajnë një protestë antiqeveritare nesër para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore.

Shekulli Agency