Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po planifikon të heqë dorë nga udhëheqja e Unionit Kristiandemokratik (CDU) në një konferencë të partisë në muajin dhjetor, njoftuan sot mediat lokale, transmeton AA.
Merkel i ka thënë komitetit ekzekutiv të partisë se ajo nuk ka ndërmend të kandidojë për kreun e partisë, por dëshiron të mbetet si kancelare, raportuan agjencia gjermane e shtypit DPA, javorja Der Spiegel dhe shumë media tjera.
Vendimi i saj erdhi pasi CDU dhe partia e saj simotër CSU pësuan humbje në zgjedhjet e fundit rajonale në shtetet e Bavarisë dhe Hesse.
Merkel, e cila ka udhëhequr CDU-në për 18 vjet, pritet të mbajë një konferencë shtypi.