MPJ-ja greke: Rezultati i referendumit në Maqedoni, kontrovers

Greqia e ka cilësuar si kontrovers rezultatin e referendumit të mbajtur dje në Maqedoni për ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), por ka thënë se do të respektojë preferencën e qytetarëve të vendit fqinj.

“Një ‘po’ dominuese pa pjesëmarrje të mjaftueshme. Një pjesë e gjerë e popullatës së vendit fqinj mbështeti marrëveshjen, mirëpo një pjesë e konsiderueshme e priti me dyshim”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke.

Siç thuhet në deklaratë, Greqia do të vazhdojë të ngelet e përkushtuar në Marrëveshjen e Prespës, të nënshkruar midis dy shteteve në qershor të këtij viti, e cila parasheh që Maqedonia të ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut si parakusht për anëtarësim në NATO dhe BE.

Ministria ka thënë se nacionalizmi, lajmet e rreme dhe fryma e fanatizmit dhe dyshimit nuk lejojnë të përfitohet nga marrëveshja, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe dialog demokratik.

“Për të ruajtur ecurinë pozitive të Marrëveshjes së Prespës, të gjitha palët pa përjashtim duhet të ndërmarrin hapa të moderuar”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

– Tsipras telefonatë me Zaev

Ndërkohë, kryeministri grek Alexis Tsipras ka telefonuar homologun maqedonas Zoran Zaev.

Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrit të Greqisë, Tsipras ka uruar Zaevin për, siç thuhet, vendosmërinë dhe guximin e treguar për zbatimin e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, kryetari i partnerit të vogël qeveritar grek, Grekët e Pavarur (ANEL), Panos Kammenos, njëherësh ministër i Mbrojtjes, deklaroi në rrjetet sociale se rezultati i referendumit është i pavlefshëm, duke theksuar se shumica e qytetarëve të vendit fqinj nuk shfaqi pjesëmarrje në votim.

Ndryshe, sipas rezultateve të para, referendumi i djeshëm rezultoi me pjesëmarrje të ulët prej 36 për qind, prej të cilëve 91 për qind votuan “për”.

Shekulli Agency