Berati Osman feston përfshirjen e tij nën mbrojtjen e UNESCO-s prej 7 vjetësh

berati

Nën logon “Berati qytet në trashëgiminë botërore” u organizuan një sërë aktivitetesh si workshopi me në qendër edukimin nëpërmjet trashëgimisë kulturore, një trajnim për të rinjtë që duan të shërbejnë si vullnetarë pranë muzeve gjatë muajve të verës ku edhe turizmi , edhe ai kulturor, arrin pikun e tij.

Në muzeun ikonografik “Onufri” u çel edhe ekspozita me fotografi “Thesare të qytetit”. Për të festuar këtë ditë, hyrja në muze dhe në sitin historik dje ka qenë falas për vizitorët.

Berati u listua në trashëgiminë e UNESCO-s , më 8 korrik të vitit 2008, në sesionin e 32 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u zhvillua në Kebek të Kanadasë. Për përfshirjen e qytetit të lashtë ku qytetërimi nisi qysh në shekullin VII para erës së re, të 189 përfaqësuesit botërore votuan unanimisht duke e regjistruar Beratin si sit të trashëgimisë botërore.

Në kuadër të kësaj dite dhe të pikut sezonit turistik DRKK-Berat realizoi shpërndarjen e materialeve promocionale dhe promovuese.

Por sipas specialistëve ky qytet, dëshmi e qytetërimit antik dhe vlerave kulturore, rrezikon shumë.

Vitin e kaluar, drejtoresha e UNESCO-s, Irina Bokova gjatë një aktiviteti ndërkombëtar “Urat e Ballkanit flasin” organizuar në Berat, vuri alarmin se qyteti i një mbi një dritareve rrezikon daljen nga lista e trashëgimisë botërore, shkak janë ndërtimet e reja pa kriter në zonat historike.

Sipas Bokovës, njëherë të dëmtuara vlerat kulturore që e bëjnë të veçantë këtë qytet nuk mund të ndërtohen më.

Në vitin 2012, UNESCO i kërkoi qeverisë shqiptare të merreshin një sërë masash për mbrojtjen e sitit.

Sesioni i 39 i i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që u zhvillua në Bon të Gjermanisë nga data 28 qershor, duke i përfunduar punimet ditën e djeshme nuk e ka anashkaluar gjendjen e dy qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit (site të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s). Ata kanë diskutuar raportin e fundit të gjendjes së konservimit të këtyre dy qendrave të paraqitur nga shteti shqiptar në shkurt të këtij viti.

Ky raport ndryshe nga raportet periodike është pjesë e bashkëpunimit ad hoc që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të kulturës zhvillon me UNESCO-n që nga vjeshta 2013 për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara.

“Duhet të theksojmë se sidomos vitet 2011, 2012-2013 janë vite të rënduara të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me UNESCO-n, pasi misionet speciale të monitorimit kanë prodhuar raporte emergjence pas vizitave dhe informacioneve të gjendjes së Qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit”- kështu do të shprehej ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro disa ditë më parë në një deklaratë për shtyp.

Komiteti , pasi vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit, vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Rezoluta e miratuar vlerësoi ecurinë në reforma dhe masat e marra nga qeveria shqiptare për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe Misionit Monitorues të ICOMOS në 2012, në reformat e kryera në menaxhimin e trashëgimisë.

Ministrja Kumbaro ka bërë ët ditur se brenda këtij muaji do të paraqitet në qeveri projekt-ligji për trashëgiminë kulturore, një kërkesë kjo edhe e komitetit për miratimin sa më shpejt të tij. Qeveria shqiptare gjithashtu ka miratuar një rregullore të re për qendrën historike të Beratit.

Në dhjetor të këtij viti qeveria do të dorëzojë pranë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, raportin e radhës të monitorimit të siteve të Gjirokastrës e Beratit. Në këtë raport sipas ministrs Kumbaro parashikohet një inventar i monumenteve, listën e monumenteve të restauruara deri në atë fazë si dhe planin e menaxhimit.Ndërkohë gjatë qershorit Berati i janë shtuar në listën e trashëgimisë kulturore edhe dy monumente të reja. Me kërkesë nga DRKK-Berat, Ministria e Kulturës ka shpallur Monument Kulture të kategorisë së I-rë Kishën e “Shën Marisë” në fshatin Sinjë dhe “Urën e Kasabashit” në Çorovodë duke çuar numrin total të monumenteve në Qarkun e Beratit në 484.Bashkë me shpalljen monument kulture, u shpallën edhe zonat e mbrojtura të objekteve.

Legjenda e qytetit mbi Osum

Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum. Kalaja është edhe monumenti më antik, e ribërë nga Mëhilli i Engjëll Komneno e pastaj, në vitin 400 , nga venecianët, ndodhet në pjesën e sipërme të qytetit dhe ka mure të larta rrethues të ndara nga 24 kulla të formave dhe dimensioneve të ndryshme, të ndërtuara në periudha të ndryshme.

E ndërtuar me gurë gjigandë në formë katrori, në periudhën bizantine kështjella ndodhej në listën e fortifikimeve të Justinianit. Kështjella i ka qëndruar besnike planimetrisë së shekullit IV para Krishtit. Mangalemi dhe Gorica, janë dy lagje të qytetit të Beratit që dallohen për harmoninë me terrenin në të cilën janë ndërtuar, duke shfrytëzuar mjeshtërisht gjuhën arkitektonike. Këto lagje së bashku me kështjellën, akoma të banuara, përbëjnë tre komplekset më karakteristike të qytetit.

Ura prej druri e Goricës, e cila më vonë në shekullin XVIII u zëvendësua nga ajo prej guri, u ndërtua më 1780-ën nga Ahmet Kurt Pashai dhe u rindërtua më vonë në vitet 1920-1930. Është e gjatë 129.3 m, e gjerë 5.3 m dhe me largësi harqesh prej 9 deri më 16.7 m. Ngrihet 10 metra mbi nivelin e lumit dhe është një urë e bukur e përbërë nga shtatë harqe.

E ndërtuar mbi një bazament të fortë, e gjithë ura është e veshur plotësisht me gurë të gdhendur, të cilat mbahen mes tyre nga ganxha metalike. Ura është një ndër mirësitë e qytetit, e karakterizuar nga eleganca e gurit të bardhë e përdorur për ndërtim.“Kodiku i Purpurt i Beratit”, një nga variantet më të vjetra të Testamentit të Ri, është një referencë thelbësore e letërsisë evangjeliste dhe, më përgjithësisht, e kulturës kristiane.

UNESCO i kushton një vëmendje të veçantë ruajtjes së kësaj trashëgimie unikale të zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike dhe liturgjike përgjatë historisë botërore. Ja pse “Kodikët e Beratit” figurojnë në regjistrin e veprave më të rëndësishme të Njerëzimit, të krijuar në kuadrin e programit Kujtesa e Botës.

Kështu shkruan Koïchiro Matsuura Drejtor i përgjithshëm i Unesco-s në librin “Kodikët e Shqipërisë” Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë2003.Studiuesit e huaj ia kanë kushtuar vëmendjen kryesore “Kodikut të Purpurt të Beratit” – Codex Purpureus Beratinus F – i njohur gjerësisht me emrin e shkurtër “Beratinus”.

Në fakt emrin e Beratit e ka marrë si epinom edhe “Kodiku i Artë i Anthimit”, i cili mbi quhet shpesh “Beratinus-2”. Kjo ka ndodhur jo vetëm për faktin se “Beratinus” i takonte një periudhe shumë të hershme (i shkruar në kufijtë e fundmë të paleokrishtërimit. Sot kodikët ndodhen në muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.