Nimetz propozon 5 alternativa për emrin e Maqedonisë

Greqia dhe Maqedonia mund të jenë afër fundit të mosmarrëveshjes së tyre prej një çerek shekulli lidhur me emrin zyrtar të Maqedonisë.

I dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Matthew Nimetz, thuhet se u ka propozuar pesë alternativa për emrin delegacioneve të të dy vendeve gjatë bisedimeve që zhvillohen në New York.

Sipas mediumeve të Maqedonisë, që të enjten u cituan nga ato greke, emrat e propozuar, të gjithë të paraprira nga termi “Republika e”, janë: Maqedonia e Re, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Edhe pse Nimetz ka thënë se procesi është duke shkuar në drejtimin e duhur, negociuesi i Maqedonisë, Vasko Naumovski, i ka cilësuar propozimet e paraqitura nga ndërmjetësi i OKB-së si alternativa “larg një zgjidhjeje dinjitoze”.

Athina nuk dëshiron që fqinji i saj të ketë emrin Maqedoni për shkak të ekzistencës së një rajoni në Greqi me të njëjtin emër.

Ndërkohë, në Greqi është duke mbizotëruar një krizë qeveritare teksa bisedimet vazhdojnë.

Partia ultra-konservatore Grekët e Pavarur, e cila është pjesë e qeverisë së koalicionit kryesisht majtist, ka thënë se ajo kundërshton çdo emër që përfshin termin “Maqedoni”. Partia kryesore e opozitës Demokracia e Re ende nuk ka shprehur qëndrimin e saj zyrtar për këtë çështje.

“Unë përpiqem të gjej mundësitë që kanë njëfarë realizmi. Unë vetë nuk mendoj se është realiste të presësh që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë të mos e ketë termin Maqedoni në një formë në emrin e saj”, ka theksuar Nimetz.

Ndërkaq, kujtojmë se gjatë vizitës së tij në Maqedoni, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot shprehu mbështetje ndaj përpjekjeve të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO gjatë një fjalimi në kuvendin e këtij vendi.

“Ka ende punë për t’u bërë. Kjo natyrisht nënkupton zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit tuaj, kjo është një çështje shumë me rëndësi për këtë rajon dhe për vendin tuaj për një kohë të gjatë”, tha ndër të tjera kreu i NATO-s në fjalën e tij.

Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO është pamundësuar për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme me Greqinë, e cila ka vazhduar për më shumë se 25 vjet.

“Nuk mund të bëhet një vend anëtar i NATO-s pa zgjidhur çështjen e emrit, ajo u përsërit edhe në vitin 2014 në Samitin e NATO-s dhe në Samitin në vitin 2016. Nuk ka plan B, nuk ka anëtarësim në NATO pa zgjidhjen e emrit”, theksoi Stoltenberg më vonë në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ndryshe, rreth 118 vende, përfshirë Turqinë, aktualisht e njohin Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Shekulli Agency