Hoxhaj kërkon më shumë njohje për Kosovën nga shtetet arabe dhe islame

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të Princit saudit Turki Al Faisal, ku po zhvillon një sërë takimesh, me ç’rast ka mbajtur një ligjëratë në Qendrën e Mbretit Faisal për Hulumtime dhe Studime Islame.

Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë takimit me Princin Turki Al Faisal, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen ndaj Arabisë Saudite për mbështetjen në njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa është shprehur i zhgënjyer me mos mbështetjen dhe mos solidarizimin e shumë shteteve të tjera arabe për Kosovën.

Me Princin Turki Al Faisal, Hoxhaj ka diskutuar edhe për zhvillimet më të fundit në Evropë dhe Lindje të Mesme.

“Kur është shpallur pavarësia e Kosovës, kemi pritur që do të kemi një valë mbështetjeje dhe njohjeje nga shtete arabe dhe islame, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo mungesë solidariteti ka zhgënjyer qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës tej mase”, ka thënë Hoxhaj.

Duke e ripërsëritur këtë qëndrim edhe gjatë ligjëratës, Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet që ka ndërtuar Kosova me shtetet arabe në 10 vitet e shtetësisë.

“U jemi shumë mirënjohës shteteve anëtare të Ligës Arabe dhe atyre të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI), por në të njëjtën kohë, është absurde se si pas dhjetë vjetësh pavarësi, shumë shtete arabe ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo tregon se këto vende nuk kanë treguar solidaritet as me shtetin e Kosovës dhe as me popullin e Kosovës, madje flet për një mos-mbështetje të së drejtës sonë për vetëvendosje dhe dinjitet njerëzor”, ka thënë Hoxhaj gjatë ligjëratës.

Ai ka theksuar se “është koha e fundit që shtetet jo njohëse, anëtare të Ligës Arabe, ta njohin Kosovën”. Me të njëjtën kërkesë, Hoxhaj u është drejtuar edhe shteteve anëtare të OBI-t, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Shekulli Agency