Ibrahimi: I dënoj sulmet ndaj privatësisë sime

Sulmet e njëpasnjëshme ndaj privatësisë sime tani më ka disa ditë që vazhdojnë nga qyqarët e shefave të kandidatit të LSDM-BDI-së për komunën Çair, të cilët në mënyrë më tinëzarë, të ulët dhe me sulme nga më çnjerëzoret mundohen që e-mailin dhe facebook-un tim personal, ta mbajmë nën kontroll duke shkelur çdo normë ligjore dhe juridike. Këto sulme, që herë vijnë nga kandidati në fjalë e herë edhe nga shefat e tij, flet për panikun dhe frikën që i kapluar ata, të cilët e ndjejnë humbjen e zgjedhjeve në Çair më 15 tetor dhe përgjegjësinë që duhet të japin për veprat e tyre denigruese.

Të nderuar qytetarë, nga këtu dua t’ia bëj me dije oponentit tim politik dhe shefave të tij, se të gjitha rastet dhe cenimet ndaj privatësisë sime – tash pas kësaj konference do të paraqiten në organet kompetente dhe sektorin pranë MPB-së, më saktësisht në “Sektorin për kriminalitet kompjuterik dhe forenzikë digjitale”. Me këtë rast kërkoj nga gjitha organet kompetente, që sa më parë të shqyrtojnë rastin dhe kushdo qofshin autorët e këtyre sulmeve të dënohen sa më parë.

Unë pres që drejtuesit e shtetit, më saktë pushteti aktual, që e mban veten “reformator” ta dëshmojë veten se sa është reformator, ndërsa i bëj thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni që ta evidentojë këtë rast dhe ta ketë parasysh kur këta njerëz të paskrupullt u vardisen nëpër zyrat e tyre. Këtu nuk është në pyetje personi Zeqirija Ibrahimi, madje as lëvizja BESA, por kështu po rrezikohet privatësia e qytetarëve dhe po standardizohet shantazhi.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi, a po e shihni se sa qyqarë janë shefat e kundërkandidatit tim? Ashtu si në veprat e Orwellit ose sipas shembullit të babait të tyre ideologjik, Enver Hoxha, nëse sot po cenojnë privatësinë time vetëm nga frika e humbjes që do pësojnë më 15 tetor, ata mendojnë se shumë më lehtë e kanë të hyjnë në privatësinë e çdo qytetari tjetër shqiptar. Këtë nuk e kanë bërë as Rankoviqi e as Millosheviqi, andaj nuk do të lejojmë që të na e bëjë as Zaevi e Ali Ahmeti. Prandaj, kësaj duhet thënë jo një ditë e më parë, ngase “frika ilaç nuk ka”. Nëse kandidati i LSDM-BDI-së dëshiron fitore me këso mjete, ai qenka për ta vajtuar. Turp!

Sidoqoftë, shihemi më 15 tetor, kur me fitoren e Lëvizjes BESA Çairi do të çlirohet nga këta përgjues dhe spiunë të jetës sonë, si edhe nga mafia urbane, nga korrupsioni, krimi dhe përfundimisht “shefat” e kundërkandidatit tim do ta kuptojnë se shqiptarët nuk pranojnë vullnet të imponuar, e aq më pak një kandidat “kukull” që dëshiron fitore të këtillë.

Shkup, 12.10.2017 Zeqirija Ibrahimi, Kandidat i Lëvizjes BESA për Komunën e Çairit

Shekulli Agency